Shqipëria këtë vit përkujton 100 vjetorin e krijimit të saj. Në historinë e shtetformimit vlen të theksojmë se vendi ynë përafërsisht në gati 80 vjet, është qeverisur sipas modelit të një shteti të centralizuar, ku të gjitha vendimet për çdo lloj çështjeje, duke filluar që nga qendra deri në skajin më të largët të saj, merreshin në nivelin qëndror. Forma e administrimit të centralizuar të shtetit, u konsolidua dhe mori trajtën e saj më autoritare, përgjatë regjimit komunist, ku shteti totalitar komunist nuk mund të lejonte asnjë lloj iniciative qytetare apo forme organizimi nga poshtë të qytetarëve, duke mbytur çdolloj fryme komunitare dhe civile. Gjatë regjmit komunist, ishte vetë pushteti qëndror që legjitimonte iniciativat qytetare me urdhër nga lart.
Transformimi i sistemit të qeverisjes në Shqipëri, solli ndryshime rrënjësore edhe në konceptualizimin e jetës dhe organizimit komunitar. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, qeverisja vendore u fut si një koncept i organizimit të jetës komunitare në nivel lokal, me qasje nga poshtë-lart, pra një shkëputje diametralisht e kundërt me sistemin e kaluar.
E drejta e qytetarëve për tu vetqeverisur nëpërmjet organeve të tyre të pushtetit vendor është një e drejtë e konsoliduar prej shumë shekujsh në vendet perëndimore dhe si një model i suksesshëm i organizimit shtetëror, u konsiderua si premisë shpresëdhënëse për Shqipërinë e re pas transformimeve demokratike.
Në rastin e Shqipërisë, vetëqeverisja vendore, që evokon më së miri parimin e demokracisë pjesmarrëse në nivelin bazë të organizimit shoqëror, u konsiderua edhe si premisë për demokratizimin e shoqërisë shqiptare të sapodalë nga diktatura. Ky sistem i ri i vetëqeverisjes vendore, pra i modelit të decentralizuar të organizimit të shtetit në niVelin lokal dhe rajonal, përkundrejt organeve qëndrore të shtetit, u konsakrua edhe juridikisht në Kushtetutën e vendit dhe në miratimin e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore. Njëherazi u miratua në fillimvitin 2000 edhe kuadri strategjik dhe ligjor bazë për decentralizimin e pushtetit qendror, që i dhanë udhë forcimit të demokracisë lokale dhe parimit të autonomisë vendore.
Modeli i zgjedhur i organizimit shtetëror, me një ndarje respektive të pushtetit midis qeverise qëndrore dhe asaj vendore, është i mundur vetëm në rast të respektimit të parimit të decentralizimit dhe autonomisë vendore, që nënkupton nga njëra anë një qeverisje vendore të aftë për të marrë vendime të pavaruara nga organet qëndrore dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe komuniteteve vendore, e nga ana tjetër mundësi administrative dhe financiare për të jetësuar në realitet vendimet e marra.
Pra fuqizimi i vendim-marrjes në nivelin vendor, nëpërmjet instrumentave të duhura juridike, administrative dhe financiare, është element ekzistencial i demokracisë lokale, e cila pa to, do të kthehej në një farsë.
Në këtë kuptim, decentralizimi financiar, që nëkupton dhënien e fondeve financiare të mjaftueshme për kryerjen e funksioneve të ngarkuara me ligj, është kushti sine qua non për funksionimin e qeverisjes vendore dhe demokracisë lokale. Ky parim është i vulosur në Kartën e Evropiane të Vetqeverisjes Vendore dhe në një sërë rekomandimesh të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Mbi bazën e këtij parimi, qeverisjes vendore ju është njohur e drejta për të pasur buxhetet e tyre të pavarura dhe të drejtën për të vendosur taksa lokale apo për të marrë hua.
Në vendet e zhvilluara demokratike decentralizimi financiar është instrumenti që ju ka dhënë fondet e mjaftueshme qeverive vendore për të jetësuar vendimet e tyre dhe për të bërë realitet demokracinë lokale ku vendim-marrja ushtrohet në nivelin më të afërt të qeverisjes me qytetarët dhe komunitetet.
Fatkeqësisht e kundërta po ndodh në Shqipëri. Trajektorja e ecurisë pozitive në decentralizim dhe forcimin e demokracisë lokale nën qeverisjen socialiste është ndaluar dhe në momente të veçanta, ka bërë hapa prapa nën qeverisjen e Partisë Demokratike.
Miratimi nga qeveria e Aktit Normativ, që pret fondet financiare të qeverisjes vendore është akti më i fundit, por edhe më domethënësi, në vazhdën e një sërë aktesh ligjore që kanë cënuar autonominë vendore dhe kanë goditur thelbin e demokracisë lokale. Arbitrariteti dhe njëanshmëria e miratimit të këtij akti, e vendos demokracinë lokale përballë një shteti autoritarist, të gjithëpushtetshëm, që mund të shkelë çdo të drejtë të vendosur me Kushtetutë dhe ligj.
Rritja e autoritarizmit qeveritar kundrejt autonomisë vendore, e ka cënuar demokracinë lokale dhe aftësinë e qytetarëve për tu vetëqeverisur, pra për të vendosur vetë në mënyrë të pavarur se çfarë është më e rëndësishme për ta. Shkurtimi i njëanshëm i fondeve financiare, e eleminon përfundimisht aftësinë e qeverisjes vendore për të vetëmenaxhuar fondet e pavaruara të saj dhe për ti shërbyer komuniteteve vendore.
Po pse kjo maxhorancë, që ka në regjistrin e saj 7 nisma ligjore kundër autonomisë vendore të hedhura poshtë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërmerr hapin e radhës kundrejt demokracisë lokale ???
Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm e ka ashpërsuar luftën politike të kësaj maxhorance, kundrejt të gjitha institucioneve të pavaruara dhe pushtetit vendor. Fakti që opozita qeveris në pjesën dërrmuese të pushtetit vendor, është një arsye e mjaftueshme për këtë maxhorancë për të shkelur në mënyrë autoritariste autonominë vendore dhe të zhbëjë ato arritje pozitive në drejtim të forcimit të demokracisë lokale.
Autoritarizmi qeveritar, në absurditetin e tij, po cënon edhe vetë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke mbajtur peng ushtrimin e lirë të mandatit të socialistëve në Qarkun e Fierit, që është edhe shprehje e vullnetit të 300.000 zgjedhësve të këtij Qarku. Deformimi jo demokratik i vullnetit të zgjedhësve, është një pengesë serioze në procesin e integrimit evropian të vendit dhe demokratizimit të tij, prandaj nuk mund të tolerohet kurrsesi, që në kundërshtim edhe me vendimet e gjykatave të këtij vendi, të uzurpohet mandati i pushtetit vendor në Qarkun e Fierit.
Epshet elektorale të kësaj maxhorance nuk mund të jenë kurrsesi “gur varri” në qafën e brishtë të demokracisë lokale në vendin tonë. As uzurpimi i mandatit qeverisës në Qarkun e Fierit, as falimentimi financiar i pushtetit vendor nuk do të mund ta kthejnë autoritarizmin qeveritar kundrejt demokracisë lokale, në një model qeverisjeje. Shqipëria e meriton në 100 vjetorin e saj të qeveriset me një model ndryshe, ku qeveria respekton të drejtat legjitime të qytetarëve dhe komuniteteve vendore për të vendosur vetë, se çfarë është më e rëndësishme për ta.
Demokracia lokale duhet të jetë gur themeli në ndërtimin e shtetit demokratik përkundrejt formave autoritare të qeverisjes, që janë reminishenca të regjimeve të kaluara diktatoriale.