Në konferencën me temë “Roli i Decentralizimit dhe Konsolidimit të Demokracisë në Shqipëri dhe Integrimi Europian,” ndërkombëtarët bëjnë apel për gjetjen e bashkëpunimit mes forcave politike për miratimin e reformave të kërkuara nga Brukseli. Konferenca po zhvillohet sot paradite në hotel Sheraton.
Si përfaqësuesit e delegacionit të BE-së në Tiranë ashtu dhe ambasadori i OSBE-së vunë theksin në gjetjen e një vullneti të përbashkët politik, çka do të ndikonte dhe në decentralizimin dhe konsolidimin e pushtetit vendor.
I pranishëm në konferencë Luigi Bruza, zëvendës ambasadori i delegacionit të BE-së u shpreh se projekt-ligji i statusit të nëpunësit civil, miratimi i projekt-ligjit për Gjykatën e Lartë dhe reforma parlamentare janë pikat kyce për administrimin e nivelit local. Këto çështje, sipas Bruzës ndikojnë direkt në autoritetet lokale, në mënyrë që të arrijnë objektivat kryesore.
Zëvendës ambasadori i BE-së në Tiranë vlerësoi si të domosdoshëm decentralizimin e pushtetit vendor, prandaj dhe Bashkimi Europian po ofron mbështetje me 100 milionë euro.
Gjatë fjalës së tij Bruza ka theksuar se nuk është bërë progres në mbledhjen e të ardhurave.
Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth deklaroi se mbetet ende punë e konsiderueshme për t’u bërë si në nivel qendror dhe në nivel vendor, në mënyrë që fjalët të kthehen në vepra.
Wollfarth në fjalën e tij theksoi se duhet vullnet i mirë politik për të ecur përpara me reformat drej integrimit.
Më tej kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë tha se shpreson se do të shohim nivelin e lidershipit për arritjen e këtij qëllimi.
Të pranishëm gjithashtu në konferencë janë ambasador i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, sekretari i përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Andreas Kiefer, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, drejtoresha e përgjithshme e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim, Elisabetta Belloni.