Qendra e Kompetencës së dldp për sektorin e mbetjeve urbane – vizitë studimore në Slloveni

Gjatë datave 24-26 tetor 2016, Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp), organizoi një vizitë studimore në Slloveni. Fokusi kryesor i kësaj vizite ishte menaxhimi i mbetjeve urbane. Dldp përzgjodhi Slloveninë për këtë udhëtim studimor, si një vend i rajonit anëtar i BE-së, me një cilësi shumë të lartë të ofrimit të shërbimeve publike, me praktika pozitive në organizimin e ndërmarrjeve publike, shkallë të lartë të riciklimit të mbetjeve dhe të financimit të shërbimit. Pjesëmarrës në këtë udhëtim studimor ishin anëtarë të Qendrës së Kompetencës së dldp në sektorin e mbetjeve urbane. Qendrat e kompetencës janë platforma ku ekspertët vendorë ndajnë dhe shkëmbejnë përvoja, njohuri dhe arritje, duke rritur kapacitetet e tyre teknike dhe menaxheriale. Pjesë e delegacionit ishin gjithashtu edhe përfaqësues nga bashkitë e qarkut Berat ku qeveria e Zvicrës nëpërmjet SECO do të financojë një projekt të madh për menaxhimin e mbetjeve urbane, përfaqësues nga bashkitë Rrogozhinë, Peqin dhe Himarë ku GIZ ka filluar një projekt po për menaxhimin e mbetjeve urbane, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore si dhe nga Zyra e Kryeministrit, Kryekoordinatorja për Çështjet e Mjedisit. Objektivat e kësaj vizite, përveç ekspozimit të anëtarëve të Qendrës së Kompetencës me modele dhe praktika të mira në rajonin tonë, ishin edhe forcimi i kapaciteteve dhe rrjetëzimit të ekspertëve lokal, rritja e shkëmbimeve pushtet vendor – institucione qendrore si dhe pasurimi i procesit të planifikimit, filluar në bashkitë partnere të dldp, me gjetje dhe mësime nga eksperienca dhe praktika më të avancuara.

 

Gjatë tre ditëve të vizitave pjesëmarrësit u njohën me legjislacionin mbi mbetjet në Slloveni, ndarjen e kompetencave ndërmjet bashkive dhe ndërmarrjeve ofruese të shërbimit, financimin e shërbimit apo objektivat për rritjen e shkallës së riciklimit deri në “Zero mbetje!”. Nga vizita dukej qartё se bashkitё Sllovene janё tё mirё mbёshtetura financiarisht nё 10 – 15 vitet e fundit.  Kjo nuk ka ardhur si njё mundёsi e drejtëpёrdrejtё nga jashtё, por nga njё vizion shumё i qartё i drejtimit politik tё njёsisё dhe njё ndёrgjegjёsimi tё lartё tё stafeve tё kёtyre njёsive.

Vizita në impiantin e RCERO, në Ljubljanë ishte shumë impresionuese. I përfunduar vetëm në vitin 2015, një investim gjigand prej 120 milionë euro, me një teknologji të fjalës së fundit, ai përveç trajtimit të mbetjeve prodhonte biogaz dhe energji elektrike të rinovueshme (të gjelbër). 

Shumë interes për delegacionin, patën takimet e zhvilluara me përfaqësues të Bashkisë së Slovenska Bistrica, ku problematika, mundёsitё dhe infrastruktura ёshtё e ngjashme me njёsitё tipike nё Shqipёri. Kryetari i saj i bashkisë Dr. Ivan Žagar dhe Drejtori i ndërmarrjes komunale (nd/je publike e menaxhimit të mbetjeve urbane, ujësjellësit, gjelbërimit, ndriçimit publik dhe mirëmbajtjes së rrugëve), z. Blaž Gregorič, prezantuan eksperiencën e tyre, sesi një bashki e vogël dhe në një terren të thyer, arriti të avancojë ndjeshëm sa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane. “Vetëm 20 vite më parë edhe ne përballeshim me probleme të mprehta të menaxhimit të mbetjeve si në vendin tuaj”- tha Kryetari i bashkisë Dr. Žagar. “Kemi punuar fort në zbatimin e projekteve të BE-së me fondet IPA dhe më pas me projekte të tjera, për të mundësuar përmirësimet në infrastrukturë dhe organizimin e ofrimit të shërbimeve. “Qytetari është i pari”- ky është çelësi ynë në ofrimin e shërbimeve”- do të vlerësonte Drejtori z. Blaž Gregorič. Stacioni tjetër i vizitës së delegacionit shqiptar ishte qyteti Maribor, i dyti nga madhësia pas kryeqytetit Ljubljanë. Këtu drejtuesi i shërbimeve publike të bashkisë Maribor, z. Vili Eisenhut, prezantoi raportin e bashkisë me ndërmarrjen komunale, ndërsa Ing. Branko Kosi, nga Snaga Maribor, prezantoi përveç efekteve të ekonomisë qarkulluese (circular economy), organizimin dhe vizionin e kompanisë, projektin për ndërtimin e një impianti të fuqishëm për trajtimin e mbetjeve dhe ndarjen e mbetjeve.

Delegacioni nga Shqipëria e mbylli vizitën e tij, me vlerësime shumë pozitive për ecurinë dhe arritjet e Sllovenisë në sektorin e menaxhimit të mbetjeve urbane. “Ndërgjegjësim, investime, menaxhim dhe transparencë”- ishin fjalët kyçe që i shoqëruan ekspertët shqiptarë, gjatë gjithë vizitës së tyre në bashkitë dhe ndërmarrjet komunale të Ljubljanës, Slovenska Bistraca dhe Maribor.