Zhvillohet trajnimi për modulin e III mbi Menaxhimin e Mbetjeve Urbane: Modeli i llogaritjes së kostos dhe tarifave

Në vijim të programit njëvjeçar mbi ngritjen e kapaciteteve të ekspertëve në administratën publike për “Menaxhimin e Mbetjeve Urbane”, dldp në bashkëpunim me  Shkollën Shqiptare të Administratës Publike organizoi trajnimin për modulin e III-të mbi “Llogaritjen e Kostos dhe Tarifës”, mbajtur në datat 5-7 tetor në Sarandë.

Duke qënë se në NjQV-të e krijuara pas reformës territoriale, kanë nivele të ndryshme të ofrimit të shërbimit dhe qasje të ndryshme të mënyrës sesi do të mbulohen kostot e shërbimit, ky modul është shumë i rëndësishëm dhe u shërben punonjësve të bashkive për të njohur instrumentin për llogaritjen e kostove dhe tarifave në njësitë e reja vendore.

Moduli i III i Programit 1 vjeçar të Trajnimit për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane kishte objektiv kryesor financimin e shërbimit dhe llogaritje e kostove dhe tarifave.

Gjatë ditës së parë të trajnimit ekspertët e angazhuar nga dldp prezantuan këto tema kryesore:

-Sistemet e menaxhimit dhe modelet te buxhetimit.

-Elementët kryesorë të kostimit të mbetjeve si dhe kuadri ligjor, parimet e financimit, zërat e kostos dhe elementët përbërës të zërave të kostos.

-Model i llogaritjes së kostos dhe ushtrime bazuar në këtë model. 

Gjatë prezantimeve pati edhe diskutime të hapura me pjesëmarrësit si dhe ilustrime me raste të ngjashme nga NJQV që kanë përvojë në këtë fushë.

Në ditën e dytë të trajnimit prezantimet u përqendruan në:

-Mundësitë e kalimit nga kostim në rikuperim të kostos.

-Elementët kryesorë të tarifimit të mbetjeve si dhe kuadri ligjor, parimet e vendosjes së tarifës, zërat e tarifës, elementët përbërës dhe gjetja e të dhënave, kostoja dhe tarifat në landfill i ilustruar me rastin e landfillit të Bajkajt.

Gjetjet nga puna e bashkive të ndryshme në financimin e shërbimit dhe mbulimin e kostove nëpërmjet tarifave apo burimeve të tjera, ngjallën debat dhe diskutime mes pjesëmarrësve dhe ekspertëve. Pjesëmarrësit patën mundësi të testonin modelin e llogaritjes së kostos dhe tarifës dhe dhanë shembuj mbi raste të ndryshme gjatë punës dhe përvojës së tyre në bashkitë ku veprojnë.

Trajnimi u mbyll me një vizitë në landfillin në Bajkaj ku të pranishmit u njohën me një tjetër model të menaxhimit të mbetjeve urbane. Menaxhimi i landfillit të Bajkaj nga një ndërmarrje e veçantë në varësi të Këshillit të Qarkut,  vështirësitë në përballimin e kostove shtesë të trajtimit pavarësisht nga pagesat e detyrimeve prej bashkive të Sarandës, Delvinës, Finiqit e Himarës, procesi i trajtimit të ujërave të grumbulluar pas trajtimit të mbetjeve, etj. ishin elementë që tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve.