Programi PSI nga Kirgiztani viziton programin dldp në Shqipëri

Programi dldp në Shqipëri u vizitua nga programi PSI (Përmirësimi i Shërbimit Publik) nga Helvetas Swiss Intercooperation në Kirgizstan më 10 deri më 13 maj 2016.

Helvetas ka nisur veprimtaritë e saj në Kirgiztan në nëntor 1994 me projektin Agro ndërsa sot Helvetas Swiss Intercooperation ka 6 projekte aktive. Projekti PSI nisi në maj 2015. Ky projekt është menduar si një nisëm dhjetë-vjeçare dhe synon të përmirësojë shërbimet publike në një numër bashkish të Xhalal-Abadit dhe Isik-Kulit. Ai do të japë ndihmesë në përmirësimin e përgjithshëm të kushteve të jetës në zonat rurale.

Pjesë e stafit menaxhues bashkë me një përfaqësues të zyrës së SDC-së në Kirgiztan dhe bashkëdrejtuesi i ekipit të Drejtimit dhe Paqes në Helvetas përfituan nga afër prej përvojës së gjatë që ka dldp në përmirësimin e shërbimeve publike në zonat rurale dhe urbane të Shqipërisë.

Delegacioni nga Kirgiztani u prezantua me praktika të ndryshme dhe me partnerët e programit në nivel kombëtar dhe vendor. Znj. Valbona Karakaçi, menaxhere e programit dldp e shpjegoi gjerësisht historinë e programit, objektivat, ndërhyrjet kryesore dhe përparimin e arritur në linjat kryesore tematike në të cilat ka punuar ai. Përvoja shqiptare me Reformën Administrative Territoriale dhe kontributi i dldp në të u prezantuan nga z. Enea Hoti, këshilltar i Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, ndërkohë që znj. Elda Bagaviki, përfaqësuese e Ambasadës Zvicerane shpjegoi strategjinë e Bashkëpunimit Zviceran me Shqipërinë për vitet 2014-2017, që bazohet në katër shtylla: 1. Demokratizim, decentralizim dhe qeverisje vendore; 2. Zhvillim ekonomik; 3. Infrastrukturë urbane dhe energji, dhe 4. Shëndetësi. 

Gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, kolegët nga Kirgiztani dhe Helvetas patën mundësinë të shkëmbenin përvoja me kolegët e tyre nga dldp dhe siguruesit e shërbimeve vendorë mbi linja të veçanta të veprimtarisë së dldp, si për shembull mbështetja ndaj iniciativës Gratë në Politikë. Këshilltarja bashkiake e Shkodrës, znj. Senida Mesi u ftua t’i informonte vizitorët mbi sfidat dhe punën e madhe që duhet të bëjnë gratë në politikë në jetën e përditshme. 

Fusha të tjera pune të dldp si Programi i Zonave Funksionale si instrumente planifikimi dhe identifikimi projektesh u prezantuan nga z. Blendi Bushati, ndërsa ekspertët publikë të dldp prezantuan dokumentet strategjike territoriale dhe planifikimin financiar.

Në ditën e tretë dhe të katërt të vizitës, delegacioni i Kirgiztanit u prit nga stafi i dldp në Shkodër.

Ata patën mundësinë të vizitonin Zyrën me Një Ndalesë në Bashkinë e Shkodrës dhe të njihen me zbatimin e programit DEMOS nga Helvetas në Kosovë që u paraqit nga menaxheri i tij i programit, z. Norbert Pijls. 

Delegacioni tregoi interes të madh në prezantimin e bërë nga z. Arben Kopliku mbi menaxhimin e mbetjeve. Ata morën dijeni për manualin mbi planifikimin e mbetjeve vendore, kostot e tarifat, dhe sistemin benchmarking. Këto u pasuruan me diskutimet për shembujt praktikë mbi riciklimin, optimizimin e mbetjeve dhe sundimin e ligjit mbi menaxhimin e mbetjeve.

Dita e fundit u hap me prezantimin e politikëbërjes dhe ndikimin politik nga z. Erton Kashta.

Misioni i Kirgiztanit shijoi edhe bukuritë që ofron Shqipëria. Gjatë javës ata patën mundësi të vizitonin liqenin e Shkodrës, muzeumin Marubi si dhe të shijonin mikpritjen dhe ushqimin e mrekullueshëm të Shkodrës.