Ambasadori zviceran viziton Bashkinë Durrës

Më 12 shkurt 2016, ambasadori zviceran, z. Christoph Graf, bëri një vizitë në Bashkinë Durrës për të vlerësuar më nga afër përparimin e mbështetjes zvicerane përmes dldp-së në implementimin e projekteve në këtë NjQV të re partnere.

Ambasadori së pari vizitoi vendin e projektit në Sukth. Ai takoi administratorët e Katundit të Ri dhe Sukthit. Bashkë me ekspertët e dldp-së, ata shpjeguan procesin e identifikimit të projektit dhe prezantuan projektin e rehabilitimit të urës që do të lidhë fshatrat Jubë dhe Rrushkull.

Vizita vazhdoi në bashki, ku z. Graf u prit nga kryebashkiaku i Durrësit, z. Vangjush Dako. Gjatë takimit, Dako shpjegoi kontekstin e qeverisjes vendore dhe prezantoi rastet dhe sfidat që priten në të ardhmen.

 

Dldp ka punuar sa i përket Programit të Zonave Funksionale (PZF) për Bashkinë e Durrësit, duke u zgjeruar në dy drejtime: 

1. Përzgjedhje e një nga projekteve për mbështetje nga skema e fondit grant të dldp-së, dhe

2. Transformimi i dokumentit PZF në një dokument të Strategjisë Territoriale, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në përputhje me kornizën ligjore mbi planifikimin territorial dhe strategjik.

Gjatë këtij procesi bashkia organizoi një dëgjesë publike për dokumentin e Strategjisë Territoriale ku Ambasadori u ftua të merrte pjesë. Veprimtaria bashkoi anëtarë të këshillit bashkiak, qytetarë, biznese dhe organizata vendore për një dialog lidhur me përparësitë dhe investimet e parapara për bashkinë e zgjeruar kohët e fundit. Z. Graf iu referua dëgjesës publike si një nga instrumentet e dobishme që mund të rrisë një debat të tillë dhe që i lejon qytetarët të shprehin pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre.

Edhe kryebashkiaku ishte i pranishëm në dëgjesë dhe foli lidhur me planet e ardhshme zhvillimore të bashkisë. Strategjia territoriale dhe një listë projektesh u paraqit nga ekspertë dhe  u diskutua me pjesëmarrësit në formën e pyetjeve dhe komenteve. Ekspertiza zvicerane e mbështeti draftin e parë të strategjisë, që u miratua nga Bashkia Durrës.

Dldp po përdor dëgjesat publike si një instrument që mund të implementohet mirë pas reformës territoriale dhe administrative në bashkitë më të mëdha dhe me sfida të reja. Dldp ka grumbulluar një përvojë të mirë në themelimin e platformave për dialog dhe komunikim mes pushtetit vendor dhe qytetarëve.

Në fund, ambasadori zviceran pati një takim me gratë këshilltare të Bashkisë Durrës dhe me përfaqësues të Rrjetit të Grave në Politikë. Diskutimet u përqendruan në vështirësitë që hasin gratë në politikë sot.