Përvoja zvicerane ndahet me autoritetet vendore ne Shqipëri

Konferenca Kombëtare për Qeverisjen Vendore, e organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore në bashkëpunim të ngushtë me donatorët ndërkombëtarë, mbështetës të reformës administrativo-territoriale dhe reformës së decentralizimit në Shqipëri, u zhvillua në datën 30 tetor në Tiranë, në praninë e Kryetarëve të Bashkive të vendit, përfaqësuesve të ambasadave dhe organizmave ndërkombëtare, institucioneve shtetërore e ekspertëve vendas e ndërkombëtarë.Kjo Konferencë shërbeu si një platformë për prezantimin e hapave që janë hedhur në drejtim të forcimit të qeverisjes vendore në Shqipëri, të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale si dhe në përpjekjet për thellimin e Decentralizimit. Gjithashtu Konferenca shërbeu si një forum debati mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm në nivel kombëtar e vendor, duke synuar institucionalizimin e këtij bashkëpunimi në përputhje me standartet më të mira europiane. Ekspertë vendas e të huaj sollën eksperiencën e tyre lidhur me reformën territoriale si dhe decentralizimin, duke i trajtuar këto dy çështje nga pikëpamja e vendeve të ndryshme, si dhe ndërthurjen e tyre me aspekte të ekonomisë, financave publike, shërbimeve, etj.

Konferenca u organizua me mbështetjen e programeve UNDP/STAR, PLGP/USAID, Këshilli i Europës dhe DLDP, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten programet më aktive në çështje të qeverisjes vendore.DLDP (Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor), i zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe i financuar nga Qeveria e Zvicrës, është prej pothuajse 10 vjetësh i angazhuar me qeverisjen vendore në Shqipëri, duke ofruar mbështetje në Menaxhimin e Financave Publike, Menaxhimin e Mbetjeve, Qeverisjen Elektronike dhe Aksesimin e Fondeve. DLDP është e ngazhuar ndër të tjera të përcjellë përvojën zvicerane në Shqipëri, për të përmirësuar pozicionin e qeverisjes vendore si dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Në shtator të këtij viti, DLDP organizoi një udhëtim studimor në Zvicër, me një grup të përbërë nga Kryetarë të 18 Bashkive partnere, si dhe përfaqësues të disa Ministrive të qeverisë qendrore. Udhëtimi studimor kishte si qëllim njohjen e përvojës së Komunave në Zvicër në fushën e menaxhimit të mbetjeve (for more please click http://www.24heures.ch/vaud-regions/lausanne-region/vaud-modele-gestion-dechets-albanie/story/18697253), por në fokus ishte gjithashtu edhe procesi i amalgamimit të Komunave në zvicër. Të dyja këto çështje janë mjaft aktuale në realitetin vendor në Shqipëri. Udhëtimi studimor pati interes mjaft të madh nga Kryetarët e Bashkive, të cilët u shprehën entuziast për nivelin e zhvillimit të qeverisjes vendore në Zvicër si dhe gadishmërinë për të rritur shkëmbimet teknike edhe përmes programit DLDP.

Në kuadër të intesifikimit të këtyre shkëmbimeve, Kryetari i Bashkisë së Val de Travers, z. Frederic Mairy, ishte i ftuar si një nga folësit kyç në Konferencën Kombëtare për Qeverisjen Vendore të mbajtur në Tiranë, në 30 tetor 2015. Miku nga Zvicra prezantoi eksperiencën e amalgamimit të Komunës Val de Travers, duke e sjellë atë si një përvojë të suksesshme. Amalgamimi i 9 komunave në një të vetme, solli përmirësim të ndjeshëm të gjendjes ekonomike të banorëve të komunës si dhe një shtrirje më të madhe të shërbimeve të ofruara nga kjo Komunë e re më e madhe. Prezantimi i z. Mairy u ndoq me mjaft interes nga të gjithë pjesëmarrësit, përfshi Ministrin e Çështjeve Vendore në Qeverinë e Shqipërisë, Kryetarin e Komisionit të Reformës Administrative Territoriale të Parlamentit Shqiptar, si dhe pjesëmarrësit e tjerë. Interes të veçantë pati edhe nga media vendase. Kanali televiziv më i njohur në Shqipëri, Top-Channel, realizoi një intervistë të veçantë me z. Mairy, duke prezantuar nivelin e qeverisjes vendore në Zvicër, zhvillimin e proceseve në një vend me qasje të theksuar demokratike të vendimmarrjes. (For more click http://bigbrother.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=312041)

Shqipëria është në fazën e konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale, e cila filloi zbatimin këtë vit, duke reduktuar ndjeshëm numrin e Njësive të Qeverisjes Vendore, nga 384 në 61 Bashki të reja. Së shpejti pritet miratimi i një ligji të ri për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, i cili do të synojë të zgjerojë gamën e funksioneve dhe përgjegjësive të qeverisjes vendore. Sfidë mbetet decentralizimi i fondeve për ushtrimin e përgjegjësive, gjë që ka cënuar deri më tani ushtrimin e rregullt të përgjegjësive nga ana e qeverisjes vendore. Decentralizimi mbetet një proces dinamik dhe DLDP është e angazhuar të vijojë mbështetjen e qeverisjes vendore në këtë fazë tranzicioni, duke bërë përpjekje për të ndikuar në politikat që hartohen nga qeveria qendrore. Shpërndarja e praktikave të mira të krijuara nga puna në terren e DLDP, kombinuar me përvojën e ekspertëve zviceranë, mbetet strategjia kryesore e këtij programi, për vitet në vijim.