Takim konsultativ mbi Projekt-propozimet e NJQV-ve në kuadër të Fondit Grant të dldp

Programi dldp me mbështetjen e Kooperacionit Zviceran në Shqipëri ka akorduar një fond prej rreth 700,000 Euro për identifikimin, zhvillimin, zbatimin dhe monitorimin e projekteve të zgjedhura nga bashkitë e të tre qarqeve Kukës, Dibër dhe Durrës. Me 23 tetor 2015, u zhvillua në Tiranë një takim konsultues, ku 7 bashki nga këto 3 qarqe,  që do të përfitojnë nga instrumenti i fondit “Grant” të dldp-së, prezantuan ecurinë e deritanishme të punës për shkrimin e projekt propozimeve, gjetjet, sfidat dhe qasjet e propozuara.

Në takim morën pjesë përfaqësues të stafeve teknike të bashkive përfituese: Durrës, Shijak, Tropojë, Dibër, Mat dhe Klos. Përfaqësues nga organizatat partnere të dldp-së që po mbështesin bashkitë në shkrimin e projekt propozimeve, përfaqësues të Ambasadës së Zvicrës, ekspertë të Ministrisë së Mjedisit dhe  Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Projekt propozimet e prezantuara gjatë workshopit teknik nga secila bashki, janë identifikuar gjatë një procesi të ndarë në disa faza. Fillimisht është bërë identifikimi i tyre në kuadër të Programeve të Zonave Funksionale (PZF), ku janë radhitur 5 projektet më të mira nga publiku, ekspertët dhe të zgjedhurit vendorë. Pas këtij hapi është bërë rivalidimi nga kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Më pas është zhvilluar një vlerësim i para-fizibilitetit dhe janë hartuar skenarët e bazuar në projekt ide, të cilët po zhvillohen më tej në projekt propozime të plota në sajë të asistencës teknike që po ofron dldp . 

Gjatë sesionit të parë të këtij takimi, ekspertët e dldp prezantuan hapat dhe afatet që secili prej këtyre projekt propozimeve do të respektojë deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes për zbatim. Sesioni i dytë i takimit u zhvillua në dy sesione paralele të ndara sipas linjave në: sesionin e projekteve në fushën e infrastrukturës dhe në sesionin e projekteve në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe Zyrave të Integruara me Një Ndalesë.

Ekspertët e njësive vendore të mbështetur nga ofruesit e shërbimeve përkatës prezantuan përqasjen e zgjedhur, skenarët teknikë dhe financiarë të kombinuar me elementë të përfshirjes sociale, identifikimin e rreziqeve që mund të mbart projekti gjatë zbatimit dhe mënyrën e tejkalimit të tyre, pa lënë mënjanëedhe nevojën e asistencës teknike për vijimësinë e zbatimit. Pas çdo prezantimi pjesëmarrësit diskutuan mbi qartësimin e elementëve të projektit dhe plotësimin dhe përmirësimin e tyre. Sugjerime të vlefshme u dhanë edhe nga ekspertët e ministrive duke shërbyer për përmirësimin teknik të projekt propozimeve në mënyrë, që projektet të zbatohen me ritme më të shpejta. 

Zbatimi i këtyre projekteve do të fillojë të realizohet gjatë vitit 2016.