Tryezë konsultative mbi implikimet e Projekt-ligjit organik në shërbimet publike vendore

dldp ka mbështetur iniciativën e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore për të zhvilluar konsultime sa më të gjera me grupet e interesit në lidhje me draftin e paraqitur nga qeveria për ligjin e ri organik për “Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”. Në kuadër të këtyre takimeve konsultuese, më 9 tetor 2015, u zhvillua edhe një tryezë me ekspertë dhe përfaqësues nga bashkitë partnere të dldp, organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mjedisit dhe ofrimit të shërbimeve, përfaqësues të ministrive të linjës (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturësdhe Ministria e Zhvillimit Urban) si dhe programeve që veprojnë në Shqipëri. Gjithashtu përfaqësues nga Enti Rregullator i Ujit ishin pjesë e kësaj tryeze.

Në fillim të këtij takimi, pjesëmarrësit diskutuan implikimet e draftit të ligjit organik në sektorin e mbetjeve, specifikisht aspekte të financimit të shërbimit, standartit minimal dhe aspekte të ushtrimit të funksionit të njësive vendore në fushën e shërbimeve publike. Gjithashtu të pranishmit  diskutuan edhe impaktin e ligjit organik në legjislacionin sektorial. Çështje të tilla si qëndrueshmëria e shërbimit përkundrejt përballueshmërisë së tij, subvencioni përballë funksionit apo decentralizimi asismetrik zunë pjesën kryesore të diskutimeve. 

Duke konsideruar që qeveria ka tërhequr nga diskutimi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projekt-ligjin”Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8102 “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, (që përcakton edhe rolin e Entit Rregullator të Ujit në sektorin e  mbetjeve), diskutimi u mbajt në nivele të përgjithshme. Pjesëmarrësit që e morën fjalën veçuan ndikimin që ligji organik mund të ketë edhe mbi aspektet rregullatore të sektorit, për domosdoshmërinë e një rregullatori mbi palët dhe lidhjen e funksionimit të tij me përballueshmërinë, ruajtjen e standartit minimal dhe përcaktimin e tarifave të shërbimit.