Zbatim i modelit zviceran për menaxhimin e mbetjeve

Çështja e menaxhimit të mbetjeve urbane vazhdon të jetë një problem shqetësues dhe një nga sfidat më të mëdha të  qeverisjes vendore në Shqipëri. Kjo ishte edhe arsyeja e vizitës studimore në Zvicër, realizuar me sukses nga stafi i programit dldp gjatë datave 31 gusht deri më 4 shtator. Pjesëmarrës në këtë udhëtim studimor ishin 15 kryetarë të bashkive nga qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Kukës dhe qarku Berat, Kryetari Komisionit Parlamentar të Veprimatrive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, z. Eduard Shalsi,  Kryetari i Entit Rregullator të Ujit z. Avni Dervishi si dhe përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Mjedisit, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Departamenti i Koordinimit të Strategjive pranë Këshillit të Ministrave. Në të gjitha takimet e rëndësishme delegacionin shqiptar e shoqëroi edhe Ambasadori i Republikë së Shqipërisë në Zvicër, z.Ilir Gjoni.

Prezantimi për pjesëmarrësit, i kontributit të dldp-së për reformën territoriale dhe mbështetja në sektorin e menaxhimit të mbetjeve si dhe njohja me eksperiencat zvicerane dhe mënyra se si të përshkallëzohen ato në kontekstin shqiptar (veçanërisht me mbështetjen e dldp-së) ishin dy nga objektivat e kësaj vizite.

Dldp pati rastin të paraqesë paketat e mbështetjes së programit dhe propozimin mbi zbatimin e Reformës Territoriale. Organizimin e vizitave nëpër bashki  si ajo në Val-de-Travers  apo në fushën e kompostimit në Chatillon si dhe shpjegimin teknik mbi metodën e përpunimit dhe menaxhimit të mbetjeve, i ndihmoi pjesëmarrësit të kuptojnë më nga afër se cilat janë hapat që mund dhe duhen ndërmarrë për të përballuar me sukses një situatë tranzitore pas zbatimit të reformës territoriale. Përveç eksperiencave në terren, gjatë kësaj vizite studimore u organizuan edhe sesione diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Ekonomisë së Zvicrës (SECO), Zyra për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), si dhe përfaqësues nga Zyra Qendrore e Helvetas Swiss Intercooperation. Fokus diskutimi ishin prezantimi i përvojës së dldp-së dhe mundësitë e mbështetjes në menaxhimin e mbetjeve dhe paketave të tjera.