Zëvendës Sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Jashtë i Zvicrës viziton Shkodrën

Bashkëpunimi dhe ndihma e dhënë nga qeveria e Zvicrës për Shqipërinë e Veriut dhe Shkodrën, aktiviteti disavjeçar i Programit për Zhvillim Lokal dhe Decentralizim (dldp) në këtë rajon dhe perspektiva e këtij bashkëpunimi, ishin disa prej objektivave që sollën në Shkodër në një tur të ngjeshur vizitash, Zëvendës Sekretarin e Shtetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Zvicrës, z. Georges Martin, shoqëruar nga Ambasadori Zviceran në Shqipëri, z. Christoph Graf e stafi i tij.

Delegacioni zviceran u takua me Kryetaren e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi e cila u paraqiti sfidat që sjell reforma territoriale dhe administrative. Ajo gjithashtu falenderoi qeverinë zvicerane për mbështjetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë në përgjithësi, përmes programeve të ndryshme për menaxhimin e mbetjeve urbane, menaxhimin e financave, modernizimin e administratës publike, ku Zyra me Një Ndalesë pranë kësaj Bashkie u shikua si shembull i një investimi të suksesshëm.

Gratë politikane të zgjedhura gjatë zgjedhjeve lokale të qershorit si anëtare të këshillave bashkiake si dhe deputete të Parlamentit patën rastin të diskutojnë në prani të delegacioni zviceran problematikat dhe sfidat me të cilat përballet femra në politikë. Interesim të gjerë nga të gjitha kahet politike ka edhe bashkëpunimi i Aleancës së grave Deputete të Parlamentit shqiptar me gratë këshilltare në këshillat bashkiakë.  Në përmbyllje të asaj tryeze dldp paraqiti për herë të parë një film të shkurtër të realizuar me Rrjetin e Grave në Politikë ku prezantohet historiku i Rrjetit të Grave në Politikë, aktivitetet e shumta, bashkëpunimi mes tyre dhe perspektiva e këtij rrjeti edhe përtej dldp.   

Qeveria zvicerane ka dhënë një mbështetje të vazhueshme edhe në sistemin e ujësjellësit dhe të menaxhimit të mbetjeve dhe për këtë arsye vizita vazhdoi në një qendër grumbullimi dhe riciklimi të mbetjeve si aktivitet i një partneriteti publik privat. Një vizitë e shkurtër në një vendbanim të  komunitetit Rom në periferi të Shkodrës, ndihmoi Zv. Sekretarin Martin dhe delegacionin që e shoqëronte të shihte më nga afër kushtet shumë të vështira të jetesës së këtij komuniteti. 

Më tej delegacioni zviceran u shoqërua të vizitojë Impiantin e Trajtimit të Ujrave të Ndotura në Shirokë, realizuar me fonde të qeverisë zvicerane dhe venddepozimin e mbetjeve në Bushat, një iniciativë e përbashkët e qeverisë qendrore dhe lokale.

Helvetas Swiss Intercooperation përmes programit të saj për decentralizim dhe zhvillim lokal (dldp) u përzgjodh nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri (SDC), për të paraqitur disa prej investimeve dhe rezultateve të një bashkëpunimi të suksesshëm disavjeçar, duke rritur kredibilitetit e vetë programit.