Zhvillohet takimi i radhës i Qendrës së Kompetencës për menaxhimin e mbetjeve urbane

Dldp, më datat 4-5 qershor, zhvilloi njëworkshop me Qendrën e Kompetencës për menaxhimin e mbetjeve urbane. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ekspertë lokalë nga komunat dhe bashkitë partnere të dldp, ministrive të linjës, organizatave partnere që bashkëpunojnë me dldp në ofrimin e paketave mbështetëse për sektorin. Përveç përfaqësuesve të shoqatës së komunave dhe programeve të tjera (GIZ), të ftuar specialë ishin komisionerët e Entit Rregullator të Ujit.

Ky workshop i zhvilluar në Velipojë, kishte si objektiv kryesor prezantimin e rezultateve dhe gjetjeve nga katër paketat që dldp mbështet në sektorine  menaxhimit të mbetjeve urbane.

1.Modeli i llogaritjes së kostos dhe tarifës

2.Praktikat e riciklimit dhe përfshirja sociale

3.Praktikat e bashkëpunimit ndërvendor dhe shtrirja e shërbimit 

4.Praktikat e kompostimit individual dhe bujqësor 

 

Gjatë sesioneve të këtij workshop-i, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me rezultatet e arritura dhe rekomandimet që sugjerohen për tejkalimin e sfidave që prezantohen para sektorit.

Përsa i përket përmirësimit të modelit të llogaritjes së kostos dhe tarifës, u sugjerua futja e sistemit të llogaritjes me zona shërbimi me karakteristika të ndryshme brenda të njëjtës njësi, duke iu përgjigjur sfidës që prezanton edhe ndarja e re territoriale. Kjo erdhi edhe si kapitalizim i përvojës së dldp nga zbatimi në praktikë i mbështetjes së bashkëpunimit ndërvendor në njësitë vendore të Malësisë së Madhe dhe Pukës. Nevoja për më shumë fleksibilitet në ndërtim strategjish për asetet, duke dhënë më shumë mundësi për zgjedhjen e aseteve të tjera sipas eficensës, kamionë me kapacitet të ndryshëm, nga ato 5t dhe 10t, janë futur dhe kapacitet më të mëdha 12t dhe 15t. Gjithashtu edhe për kazanët nga klasiku 1.1 m3, janë futur dhe 1.6, 3.2, 5.0 dhe 7.0m3 për përdorim alternativ për të rritur eficensën në grumbullim. Ndryshime të tjera konsistojnë në ripërcaktimin e kapaciteteve të mbushjes së kamionëve dhe kazanëve në bazë të përvojës së disa njësive vendore. Kjo e sjell edhe më afër realitetit kostimin. 

Për zonën e riciklimit është futur përdorimi i qeses si kontenitor i mbetjeve. Element i rëndësishëm në përmirësimin e këtij modeli ishte edhe zgjerimi i moduleve të llogaritjes me riciklimin dhe kompostimin.Diskutantët që e morën fjalën përveç vlerësimit të këtij modeli të prezantuar, sugjeruan edhe futjen e elementëve të pastrimit të qytetit si fshirja dhe larja e rrugëve në modelin e kostos, si dhe gjetjen e  mundësisë së kalimit të këtij modeli llogaritjeje nga ai në MS Excel në një aplikacion të veçantë.Elementët më të rëndësishëm të mbështetjes së bashkisë Lezhë në promovimin e riciklimit dhe zgjerimin e shërbimit në zonat periferike u ndoqën po ashtu me interes. Angazhimi i komunitetit Rom për të rritur sasitë e mbetjeve të riciklueshme nëpërmjet dhënies së menaxhimit të qendrës këtij komuniteti dhe formalizimit të sistemit të grumbullimit të diferencuar ishin dy qasje, që të mbështetura nga shifra optimiste të prezantuara nga ekspertët e URI-t, u vlerësuan si të favorshme në kontekstin aktual. Nga diskutimet u rekomandua forcimi i rolit të bashkisë në këtë sistem, si qendra dhe rregullatori i organizimit dhe monitorimit të shërbimit. Rekomandime të tjera ishin zgjerimi i sistemit të grumbullimit me qese derë më derë, si një sistem efiçent që garanton një sasi prej 450ton/vit mbetje të rickliueshme.

Studimi i fizibilitetit për një kampionat riciklimi në shkallë kombëtare, nisur nga modeli i aplikuar në Shkodër, nxiti debate në lidhje me kosto/njësi dhe mënyrën sesi do të garantohet qëndrueshmëria e kësaj iniciative. Nga kjo analizë u prezantuan qytetet e identifikuara të cilat mund të prodhojnë sasi mbetjesh të mjaftueshme për të arritur tek vetë-financimi.

Dy sesionet e fundit të ditës së parë kishin të bënin me diskutimin e draftit të projektligjit që do të dorëzohet në parlament për shtimin e funksioneve të ERRU-së, përveç ujit edhe me ato të sektorit të mbetjeve të ngurta. Palët në këto diskutime ishin shumë të ndara në pozicionet e tyre në lidhje me autoritetin që mund ta bëjë detyruese shfrytëzimin e një metodologjie për llogartitjen e kostos dhe tarifës për gjithë zinxhirin e menaxhimit të mbetjeve që nga grumbullimi dhe transporti dhe jo vetëm trajtimin përfundimtar të tyre. Dy ishin qëndrimet kryesore. Nga njëra anë njëri grup identifikonte ERRU si autoritet i tillë, ndërkohë që grupi tjetër ishte në favor të dhënies së këtij autoriteti nëpërmjet një akti detyrues ministrive të linjës pa specifikuar cilën, Ministrinë e Mjedisit apo atë të Transportit dhe Infrastrukturës. 

Në diskutime u përfshinë komisionerët e ERRU, përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, ekspertët e organizatave si URI apo Coplan, si dhe specialistë të NjQV-ve.

Sesioni për prezantimin e praktikave nga bashkëpunimi ndërvendor, përveç prezantimit të rasteve Pukë e Malësi e Madhe u ndal edhe në dhënien e rekomandimeve sesi mund të bëhet integrimi i shërbimit në njësitë e reja pas zgjedhjeve të 21 qershorit, duke u munduar t’u përgjigjej sfidave si psh organizimi i shërbimit në njësitë e reja në shkallë graduale apo njëherësh, kontraktimi i përbashkët apo pjesë –pjesë, tarifë e njëjtë apo e ndryshmë në zona të ndryshme, si do bëhet monitorimi i shërbimit nga bashkia apo njësia admnistrative.

Dita e dytë e workshop-it u zhvillua në komunën Dajç. Aty u prezantuan dy praktikat e zhvilluara për kompostimin bujqësor në Dajç dhe atë individual në Pukë. Nëpërmjet ballafaqimit të gjetjeve të secilit grup ekspertësh, pjesëmarrësit patën rastin tënjihen me përparësitë dhe mangësitë e secilit aplikim. Prezantimi i eksperiencave pozitive të Dajçit përveç gjetjeve teorike u shoqërua edhe me një vizitë në një prej fermave ku pilotohet ky model. Gjatë vizitës në Dajç, anëtarët e qendrës së Kompetencës patën rastin të shohin nga afër edhe ambientet e komunës dhe mënyrën e funksionimit të Zyrës me Një Ndalesë.