Zyrtarë të qeverisë zvicerane vizitojnë rajonin e Lezhës gjatë një misioni të nivelit të lartë në Shqipëri

Gjatë misionit të tyre në terren në Shqipëri, Kryetarja e Bashkëpunimit me Evropën Lindore, Elisabeth von Cappeler dhe Kryetarja e Divizionit për Ballkanin Perëndimor, Georgette Bruchez,  të dyja nga Departamenti Federal për Çështjet me Jashtë, ndaluan në Lezhë për të parë progresin e bërë nga programet zvicerane që mbështesin zhvillimin vendor dhe decentralizimin. Ato gjithashtu vizituan komunën e Kallmetit ku panë Zyrën me Një Ndalesë të ngritur para dy javësh dhe më pas vazhduan për në komunën Ungrej. Zyrtarët zviceranë u takuan me kryebashkiakun e Lezhës, Viktor Tusha, kreun e komunës Kallmet, Petrit Marku dhe kreun e komunës Ungrej. Ata diskutuan gjendjen dhe sfidat e qeverisjes vendore në këtë rajon të Shqipërisë dhe se si mbështetja zvicerane mund të përdoret më mirë për zhvillimin vendor. Reforma Territoriale dhe Administrative – e mbështetur gjerësisht nga Zvicra – ishte një nga temat kryesore të diskutimit krahas decentralizimit.

Që para dy javësh bashkia e Lezhës ka një qendër të re me një ndalesë të ngritur nga programi zviceran dldp. Qendra me ambiente dhe shërbime të reja u inaugurua në 16 Maj dhe ajo lidh bashkinë e Lezhës me komunën Kallmet. Prandaj vizitorët zviceranë vazhduan vizitën në Kallmet ku panë ambientet nga ku shërbimet e reja të integruara integruara lejojnë qytetarët të aplikojnë online dhe të marrin rezultatet nga Lezha pa patur nevojë të udhëtojnë. Kërkesat e bëra në Kallmet tani përpunohen dhe aprovohen drejtpërsëdrejti në bashkinë e Lezhës. Në konfigurimin e ri të territoreve Kallmeti do të jetë pjesë e bashkisë më të gjerë të Lezhës dhe prandaj shërbimet e integruara si ky do të lejojnë qytetarët të reduktojnë kosto, kohë dhe përpjekje, si dhe të marrin shërbime më të mira.

Dldp ka prezantuar gjithashtu disa raste të shërbimeve të përmirësuara për qeverisjen vendore si informimi dhe komunikimi, menaxhimi i mbetjeve, menaxhimi i financave publike, dhe e-qeverisja. Me një fokus të veçantë tek dixhitalizimi, programi filloi me ndërtimin e faqeve në internet për bashkitë dhe komunat, dhe tani po prezanton shërbime më ndërvepruese përmes të cilave qytetarët mund të aplikojnë dhe të ndërveprojnë online me njësitë e qeverisjes vendore. Ai ka synuar të modernizojë funksionimin e qeverisjes vendore dhe të krijojë shembuj të mirë që mund të replikohen edhe në rajone të tjera të Shqipërisë.