Vizita e Ambasadorit të Zvicrës në Pukë

Bashkia Pukë i dhuron „Simbolin e Qytetit“ Ambasadorit Zviceran, Christoph Graf

Më 25 mars, ambasadori zviceran, Sh. T. Christoph Graf zhvilloi një vizitë në Pukë, për t’u njohur më nga afër me skemën ndër-komunale të menaxhimit të mbetjeve dhe për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Koordinues të organizuar nga dldp, ku morën pjesë mbi 30 kryetarë të bashkive e komunave nga qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër dhe Durrës. 

 

Ndalesa e parë e vizitës ishte në komunën Luf-Qerret, ku kryetari i saj, Rrok Dodaj paraqiti kushtet dhe sfidat me të cilat përballet kjo komunë. Në këtë komunë programi DLDP ka prezantuar skemën ndër-komunale për menaxhimin e mbetjeve e cila inkurajon komunat që të bashkëpunojnë për një menaxhim më të mirë të mbetjeve në këtë rajon. Më pas vizita vijoi në pikën e hedhjes së mbetjeve në Pukë me Kryebashkiakun dhe stafin e bashkisë.

Ambasadori Graf mori pjesë në takimin koordinues ku kryetarë të komunave dhe bashkive diskutuan mënyrat se si të përshpejtohet procesi i decentralizimit, dhe në kontekstin e ri të reformës territoriale, si të vihet kjo reformë në përdorim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Diskutimi gjithashtu u fokusua në punën e kryer për ndalimin e hedhjes së paligjshme të mbetjeve dhe krijimin e kushteve për përdorimin më të mirë të landfilleve. Programi ka prezantuar skema të reja të grumbullimit të mbetjeve dhe të kompostimit në komunitete të cilat mund të zgjerohen dhe përshtaten edhe në komuna të tjera.

Vizita u mbyll me një recepsion zyrtar në Hotel Puka ku u përfshi edhe “Simboli i Qytetit”, që ia dha ambasadorit zviceran z. Graf nga kryebashkiaku Beqir Arifaj. Kryetari Arifaj shprehu mirënjohje për kontributin e qeverisë së Zvicrës për përpjekjet e vazhdueshme në zhvillimin e rajonit.

 

Ambasadori Graf falenderoi kryebashkiakun Arifaj për këtë titull në emër të popullit zviceran duke theksuar shqetësimin e qeverisë zvicerane që edhe zonat e largëta të marrin vëmendjen dhe mbështetjen e duhur.