Konsultimi Publik i Draft Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2015-2020

Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike znj. Milena Harito dhe Departamenti i Administratës Publike me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, përmes Programit  për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal organizuan më datë 18 mars tryezën konsultative për Draft Strategjinë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike (SNRAP) 2015-2020.

Reforma në administratën publike është ndër prioritetet e qeverisë shqiptare si një instrument kyç për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit dhe si kusht për proceset integruese të vendit.

Tryeza konsultative u udhëhoq nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike znj. Milena Harito si dhe u përshëndet nga z. Alexander Widmer nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë dhe znj. Valbona Karakaçi, Menaxhere e Programit DLDP.

 

Ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të biznesit, përfaqësues dhe organizata të pushtetit vendor, bota akademike, institucionet shtetërore si dhe institucionet e pavaruara.  

Nëpërmjet këtij dokumenti strategjik për Reformën në Administratën Publike, synohet të realizohet:

-përmirësimi i politikave planifikuese dhe koordinuese

-përmirësimi dhe rritja e transparencës në procesin e hartimit dhe përafrimit të legjislacionit me aquis

-sistem monitorimi dhe vlerësimi efikas për strategjitë, programet dhe kuadrin ligjor në fuqi

-fuqizimi i strukturave të administratës publike për të përmirësuar shërbimin ndaj publikut, duke reduktuar rrjedhimisht edhe korrupsionin

-forcimi i kapaciteteve për zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil; organizimi i sistemit të pagave

-rritja e eficencës dhe përgjegjshmërisë së nëpunësve publikë

Vlen për t’u theksuar se Strategjia përfshin edhe nivelin vendor, duke shënuar një hap pozitiv drejt një përqasje të integruar ndaj administratës në tërësi.

Grupet e interesit shprehën gjatë kësaj tryeze konsultative opinionet dhe mendimet e tyre me qëllim garantimin e gjithëpërfshirjes së nevojave dhe objektivave të tyre. 

 

“Strategjia Ndërsektoriale e Reformës ne Administratën Publike (SNRAP) 2015-2020” është një dokument strategjik i cili është përgatitur përmes angazhimit dhe kontributit të institucioneve të ndryshme publike, grupeve të interesit si dhe institucioneve ndërkombëtare.