Tryezë e rrumbullakët mbi ligjin e ri “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”

Programit PLGP/USAID në bashkëpunim me DLDP organizoi më datë 9 mars në ambientet e hotel Mondial një tryezë konsultative me pjesëmarrje të gjerë duke sjellë së bashku kryetarë të bashkive të njësive vendore partnerë të projektit PLGP/USAID dhe programit DLDP, përfaqësuesin e  Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, përfaqësues nga shoqatat e qeverisjes vendore si SHBSH, SHKSH, ALA, përfaqësues nga USAID si dhe grupi i punës i ngritur për hartimin e Ligjit të ri.

Takimi kishte për qëllim të marrë mendime nga  kryetarët e bashkive dhe pjesëmarrësve të tjerë për problemet që hasen me Ligjin aktual “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”.

Të ofrojë një mundësi për dialog mes kryetarëve të bashkive në lidhje me nevojën e miratimit të një Ligji të ri “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”.

 

Të ndajë dhe të diskutojë metodologjinë e hartimit të Ligjit të ri “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, si dhe të marrë mendime në lidhje me vizionin, parimet, qëllimet, funksionet, strukturat, etj., të Ligjit të ri “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”.

Në tryezë u prezantua procesi i nisur nga grupi i ekspertëve lidhur me përgatitjen e ligjit të ri organik si dhe një plan veprimi me hapat kryesor deri në miratimin e ligjit të ri organik për qeverisjen vendore.

Pas prezantimit të problematikave të identifikuara lidhur me zbatimin e ligjit aktual për organizimin dhe

funksionimin e qeverisjes vendore, pjesëmarrësit diskutuan lidhur me nevojën e përfshirjes së një numri çështjesh në ligjin e ri organik. Ndër çështjet kryesore që u adresuan nga pjesëmarrësitt ishin: Çështja e burimeve financiare të njësive të qeverisjes vendore, të cilat duhet të jenë në përputhje me funksionet që ka qeverisja vendore. Decentralizimi ka si objektiv forcimin e qeverisjes vendore, por nga ana tjetër qeveria qendrore duhet të parashikojë instrumentat e nevojshëm, me qëllim që qeverisja vendore të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për ushtrimin e funksioneve;

Mënyra se si caktohen funksionet ishte një çështje tjetër e diskutuar. U konsiderua e nevojshme që ligji të parashikojë një rrugë të qartë se si i caktohen funksionet qeverisjes vendore.

 

Dldp do të kontirbuojë në procesin e përgatitjes së ligjit të ri organik përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me programin PLGP/USAID, i cili drejton procesin. Gjithashtu dldp synon të angazhojë tryezën e Kryetarëve të NJQV-ve bashkëpunëtore për të dhënë rekomandime lidhur me përmbajtjen e ligjit të ri organik. Përfshirja e ekpertizës ndërkombëtare nga dldp konsiderohet si një vlerë e shtuar në procesin e draftimit të ligjit të ri organik, duke synuar kryesisht në përftimin e parimeve për shpërndarjen e funksioneve si dhe të një metodologjie për zbatimin e këtyre parimeve. Një element tjetër i rëndësishëm përmes të cilit dldp synon të kontribuojë në proces, do të jetë projekti “Parlamenti i Hapur”, i cili do të synojë në konsultimin e ligjit të ri organik në nivel lokal, duke përfshirë deputetë të Kuvendit, aktorë vendor dhe median lokale e kombëtare.