Forume konsultative në Zonat Funksionale

Gjatë periudhës shkurt-mars 2015, DLDP organizoi forume konsultative në Shijak, Peshkopi, Burrel, Tropojë, Kukës, Durrës Koplik dhe Lezhë.

Takimet kishin për qëllim prezantimin dhe rivalidimin e gjetjeve të analizës ekonomike dhe të analizës së shërbimeve mbi bazën e të cilave do të finalizohen edhe programet e Zonave Funksionale. Konceptet strategjike të zhvillimit ekonomik të hartuara për Zonat Funksionale në 5 qarqe të veriut të Shqipërisë përfshijnë 76 njësi vendore dhe japin një analizë të sektorëve prioritarë të zhvillimit ekonomik të këtyre territoreve, identifikojnë probleme dhe japin rekomandime për zgjidhjen e këtyre problemeve. Gjithashtu dokumentet analizojnë dhe 3 nga shërbimet e njësive të qeverisjes vendore (menaxhimin e mbetjeve, transportin dhe ujësjellës kanalizimet) duke dhënë rekomandime dhe ndërtuar skenare të mundshme në ofrimin sa më të mirë të shërbimeve në zonën funksionale apo njësinë e re vendore. Gjatë këtyre forumeve kryetarë dhe ekspertë të njësive të qeverisjes vendore, specialistë të drejtorive rajonale, përfaqësues dhe ekspertë të qarqeve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shoqatave të biznesit, anëtarë të institucioneve arsimore dhe edukimit profesional, përfaqësues të institucioneve të ndryshme si aktorë në zhvillimin e territoreve dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për dokumentet e hartura nga ekspertët. Pjesëmarrësit në forume ishin kontribuesit aktivë të hartimit të dokumenteve pasi ishin ata që me informacionet dhe të dhënat e ofruara mundësuan në një diagnostifikim sa më të mirë të zonave.

Pas kësaj faze të prezantimit të forumeve në aktorët e ndryshëm të interesit do të kalohet në fazën e hartimit të projekteve që mendohet se mund të ndikojnë në zgjidhjen apo zvogëlimin e problemeve në sektorë apo shërbime të veçanta. Të gjithë dokumentet e diskutuara dhe miratuara nga këto forume do të përfundojnë në muajin prill dhe do të prezantohen në një konferencë në nivel kombëtar. Hartimi i këtyre koncepteve strategjike të zhvillimit ekonomik për këto territore do të shërbejnë si hap i parë për hartimin e planeve strategjike të zhvillimit për njësitë e ardhshme të qeverisjes vendore. 

Forumet u organizuan nga ekspertët kombëtar përkatësisht Studio D, ALCDF, ANTTARC, Euro Partners, CDI, ISB, URI dhe DEA Consulting të mbështetura nga stafi i dldp-së.