Takim themelues i Qendrës së Kompetencës të ekspertëve vendorë dhe ceremonia e certifikimit të trajnimeve rajonale

Më 22 dhjetor 2014, DLDP organizoi takimin themelues të Qendrës së Kompetencës të ekspertëve vendorë dhe ceremoninë e certifikimit të trajnimeve rajonale për: 1. Menaxhimin e Financave Publike; 2. Menaxhimin e Mbetjeve Urbane; 3. Menaxhimin e Ciklit të Projekteve Ndërvendore dhe 4. Qeverisjen Elektronike.

 

Takimi kishte per qëllim prezantimin nga DLDP të konceptit të ngritjes dhe funksionimit të Qendrës së Kompetencës dhe fillimin e procesit të anëtarësimit të ekspertëve nga 3 qarqet e reja dhe konsolidimin e 4 grupeve të ekspertizës sipas fushave sektoriale që DLDP mbështet. Ekspertët e përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij rrjeti janë pjesëmarrës në programin e trajnimeve rajonale në 3 qarqet e reja dhe 12 ekspertë u përzgjodhën nga Qendra aktuale e Kompetencës nga qarku Shkodër dhe Lezhë.

 

Gjatë punës në grupe, ekspertët diskutuan nevojat për edukimin e vazhduar, si dhe u angazhuan për të qenë pjesë aktive e iniciativave të DLDP-së që mbështesin funksionimin e qendrave të kompetencës. Në përfundim, secili nga grupet e ekspertëve propozuan kalendarin e aktiviteteve për vitin 2015, i cili u konsiderua si hapi i parë i organizimit të Qendrës së Kompetencës. 

 

Në fund të aktivitetit, u organizua edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave të lëshuara nga ASPA, në bashkëpunim me DLDP dhe ministritë e linjës për trajnimet rajonale të zhvilluara në kuadër të programit për ngritjen e kapaciteteve të DLDP.