Trajnim për kompostimin në Komunën Dajç

Trajnim për kompostimin në Komunën Dajç

Zv.Ministrja Ifti: Kompostimi, rrugë e sigurtë për zgjidhjen e problemit të mbetjeve organike

 

Dldp zhvilloi një trajnim tre ditor gjatë datave 30 Janar – 1 Shkurt, me fermerë në komunën e Dajçit në lidhje me kompostimin e mbetjeve organike. Trajnimi, si pjesë e projektit që Milieukontakt Shqipëri po zbaton në kuadër të dldp, kishte si qëllim rritjen e njohurive të fermerëve për procesin e kompostimit. Nëpërmjet kombinimit të seancave teorike dhe praktike, pjesëmarrësit u njohën me procesin dhehapat për kompostimin, faktorët që ndikojnë në kompostim, metodat e kompostimit, këshilla për një kompostim të suksesshëm, etj.

Gjatë seancës së parë të trajnimit, pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Zëvendësministrja e Mjedisit znj.Olijana Ifti si dhe kryetari i Komunës Dajç, z.Arben Gjuraj. Në fjalën e saj znj.Ifti vlerësoi angazhimin e  fermerëve në pilotimin e një eksperience e cila do të jetë shumë e vlefshme edhe për shumë fermerë të tjerë në Shqipëri. Duke iu referuar objektivave të Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve, znj.Ifti e cilësoi kompostimin si një prej rrugëve më të sigurta për të ulur ndjeshëm sidomos në zonat rurale sasinë e mbetjeve që trajtohen, kostot e shërbimit dhe ndikimin në mjedis.

 

Në fjalën e tij z.Gjuraj u ndal më së shumti në rëndësinë që ka për komunën promovimi i kompostimit jo vetëm për rritjen e cilësisë së shërbimit, por edhe për imazhin dhe financat e saj. Aplikimi i një modeli tarife sipas parimit “Ndotësi paguan”, do të mundësojë edhe favorizimin nëpërmjet tarifës të atyre familjeve që aplikojnë kompostimin.