Kampionati riciklimit shpall kampionët e tij

Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Shkodër dhe me mbështetjen e Programit për Zhvillim Lokal dhe Decentralizimin (dldp) organizuan ditën e martë dt.03.06.2014, në ambientet e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër, finalet e “KAMPIONATIT TË RICIKLIMIT”, me pjesëmarrjen e shkollave të qytetit Shkodër në futbollin në salla.  Në kuadër të fushatës “Shkodra riciklon!”, të gjitha shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të qytetit u përfshinë në fushatën për grumbullimin dhe shitjen e mbetjeve të riciklueshme. Shkollat që grumbulluan një sasi minimale mbetjesh të riciklueshme fituan të drejtën të marrin pjesë në kampionat. 40 ekipe nga 24 shkolla, zhvilluan gjatë gjithë muajit Maj ndeshjet mes tyre, me plot emocione dhe spektakël. Nën logon “SHKODRA RICIKLON! Kush riciklon vetëm fiton!”, këto shkolla jo vetëm ndërgjegjësuan nxënësit, mësuesit dhe komunitetin e prindërve për një qytet më të pastër, por me sasitë e grumbulluara të mbetjeve të ricklueshme të cilat u shitën në qendrat e grumbullimit, mundësuan edhe grumbullimin e një sasie mjetesh monetare për t’I përdorur në dobi të shkollave të tyre.
Mbi 9000 nxënës të këtyre shkollave gjatë gjithë muajit Maj, përveç aktiviteteve sensibilizuese, ndërmorën edhe aksione konkrete duke grumbulluar mbetje të riciklueshme dhe shitur ato në dy pikat e grumbullimit të hapura në qytet. Deri me dt.31 Maj, nga këto shkolla janë grumbulluar gjithsej 4901 kg mbetje të riciklueshme. Këto mbeteje janë shitur në pikat u grumbullimit, duke u dhënë mundësi shkollave të përfitojnë vlerë monetare prej 23 920 lek.
Ndeshjet finale mes shkollave “Kolë Idromeno” – “Kolë Margjini” (për shkollat emesme); “Skënderbeg”-Shkolla Austriake “Peter Mahringer” (klasat 7-9) dhe Ismail Qemali”- “Ali Laçej” (klasat 5-6), dhuruan shumë spektakël dhe emocion. Fitues dolën shkollat “Kolë Idromeno”, “Skënderbeg” dhe “Ali Laçej”.
Këto shkolla, promotore të iniciativave për një Shkodër me europiane, për një qytet më pragmatist që prej mbetjeve kërkon të mobilizojë fonde për qytetin apo shtresat në nevojë meritojnë jo vetëm përkrahje morale. Për këtë Programi për Zhvillim Lokal dhe Decentralizmin, Bashkia Shkodër dhe Drejtoria Arsimore kanë mundësuar për fituesit e këtyre finaleve çmime që  do të paguhen direkt në llogaritë e shkollave fituese.
Fushata “Shkodra riciklon”, vijon suksesshëm në qytetin e Shkodrës. Deri më tani në pikat e grumbullimit, janë shitur nga qytetarët afro 14 ton mbetje të riciklueshme si karton, plastikë PET apo alumin (nga kanaçet).