DLDP prezanton Studimin e Zonave Funksionale në Komisionin Parlamentar për Reformën Territorial

Me ftesë të Komisionit Parlamentar për Reforma Territoriale, u prezantua sot Studimi i Zonave Funksionale si kontribut në diskutimin për Reformën Territoriale.
Znj. Valbona Karakaçi dhe Z. Blendi Bushati (bashkë-autorë të studimit) shpjeguan kontekstin që i dha jetë idesë së Zonave Funksionale, metodologjinë dhe rezultatet bazë të studimit.
Studimi i Zonave Funksionale u shtri në 5 Qarqe të Shqipërisë: Shkodër, Kukës, Durrës, Dibër, Lezhë dhe kishte si synim identifikimin e partnerëve të qëndrueshëm.
për zhvillim në nivel vendor. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare e gjeti kriterin e funksionaliteti si të përshtatshëm për t’u aplikuar në riorganizimin territorial të Shqipërisë.
Në prezantimin e dldp-së, u theksua nevoja për identifikimin e territoreve të qëndrueshëm me potencial për zhvillim ekonomik e optimizim të kostove të shërbimeve. Funksionaliteti është një mënyrë për fotografimin e territorit, në përbërje të të cilit janë një numër NJQV të cilat ose duhet të intensifikojnë bashkëpunimin me njëri-tjetrin ose te bashkohen vullnetarisht duke mundësuar në të gjitha rastet kohezionin e brendshëm, në funksion të zhvillimit e qeverisjes së mirë. Në rastin e kryerjes së një reforme territoriale, qeveria duhet të mundësojë nxitjen dhe financimin e politikave që thellojnë këtë kohezion, duke e bërë atë më produktiv për komunitet lokale.
Anëtarët e Komisionit adresuan pyetje që kishin të bënin me aspekte demografike, statistikore, të balancimit të zonave të varfëra me ato më të zhvilluara etj. Studimi u vlerësuar si një produkt teknik i vlefshëm për reformën dhe u kërkua shtrirja e tij në 7 Qarqet e tjera të Shqipërisë.

Shkarkoni Studimin e plotë për Zonat Funksionale…

Për më shumë referohuni në prezantimin…