Shefi i Partneritetit Institucional në SDC, vizition programet e Helvetas në Shqipëri

 Shefi i Partneritetit Institucional në SDC, Konrad Specker, anëtar i bordit të drejtorëve, gjatë udhëtimit në Ballkanin Perëndimor (Kosovë dhe Shqipëri) pati vizitë njëditore në programet e HELVETAS në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në vendin tonë, ai vizitoi edhe dy programet HELVETAS në Shqipëri, dldp dhe RISI. Z. Specker u shoqërua nga shefi i grupit të Evropës Lindore të Helvetas, Jens Engeli, dhe nga Koordinatorja Nacionale në zyrën e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, zj. Elda Bagaviki.
Z. Konrad Specker gjatë vizitës në programin e dldp-së pati diskutime me stafin e dldp-së dhe me partnerët në fushën e decentralizimit si në menaxhimin e financave publike, zhvillimin ekonomik, si dhe në impaktet e projektit.

Menaxherja e programit të dldp-së, zj. Valbona Karakaçi prezantoi NJQV-të partnere dhe kornizën e punës, përqasjen e dldp-së si dhe lidhjen mes qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik, inovacionet e dldp-së dhe kontributin e saj në Menaxhimin e Njohurive dhe Politika. Pjesëmarrës të tjerë në takim ishin edhe Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Dajçit dhe Kallmetit si dhe Zv.Kryetari i bashkisë Shkodër, të cilët prezantuan kontributin e instrumentave të dldp-së në rritjen e të ardhurave dhe përfitimit të fondeve nga donatorët përmes ndihmës së dhënë nga programi dldp.
Një shembull i mirë i kësaj ndihme ishte edhe vizita në qendrën e riciklimit të Lezhës, një ilustrim praktik sesi një investim i vogël mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës për grupet të margjinalizuara si dhe në dhënien e modeleve të mira për indikimet në politika.
Z. Specker herët në mëngjes në Tiranë vizitoi programin RISI Albania, ku u paraqitën dhe u diskutua mbi përqasjen e re të përdorimit të tregut për krijimin e punësimit të të rinjve dhe përmes kësaj lidhjen e zhvillimit ekonomik dhe të tregut me zhvillimin e aftësive.