Angazhimi i dldp për zbatimin e modelit të llogaritjes së kostos dhe tarifës

Për vënien në zbatim të VKM Nr. 319 dt. 31.05.2018 “Për miratimin e masave për kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve”, Programi për Zhvillim dhe Decentralizim (dldp), ka shprehur gadishmërinë pranë Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit për organizimin e sesioneve shtesë të trajnimeve për modelet e llogaritjes së kostove dhe tarifave të shërbimit.
Në të njëjtën linjë, ishte edhe angazhimi i ndërmarrë nga dldp në mbledhjen e Forumit të Mbetjeve, zhvilluar në Gjirokastër më 6 korrik 2018 për të asistuar të gjithë ato bashki që shprehnin dëshirën apo prezantonin vështirësi dhe sfida në aplikimin e modelit. Qëllimi i këtyre përpjekjeve të përbashkëta të programit dhe Ministrisë ishte rritja e kapaciteteve të stafeve lokale në përvetësimin e instrumenteve financiare të vlefshëm për një planifikim të fondeve për shërbimin, sa më afër realitetit sipas parimeve që Ligji Nr.10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij përcaktojnë.
Çështjen e aftësimit të stafeve lokale për zbatimin korrekt të metodologjisë së llogaritjes së kostos së shërbimit dldp e trajtoi në mbledhjet e Qendrës së Kompetencës me bashkitë partnere gjatë 2018 si dhe me bashkitë e interesuara jashtë zonës së programit, pas miratimit të VKM, në muajin maj 2018. Një nga këto bashki ishte edhe bashkia Berat e cila ishte në përgatitje e sipër të procedurës së prokurimit për menaxhimin e mbetjeve. Nga puna paraprake e stafit të bashkisë ishin vërejtur vështirësi në aplikimin e modelit. Dldp organizoi disa sesione këshillimi me stafin e bashkisë si dhe një vizitë të stafit të bashkisë Berat në bashkinë Shkodër më 18 korrik.
Këto aktivitete ishin shumë të frytshme në rritjen e kapaciteteve të stafit të bashkisë Berat në të kuptuarit dhe aplikimin e modelit. Çështjet që lidhen me financimin e shërbimit dhe aplikimin e modelit të llogaritjes së kostos, dldp i trajtoi edhe në takimin e organizuar me të gjitha bashkitë e qarkut Berat më 27 shtator. Në këtë takim vështirësive të ndeshura në aplikimin e modelit dhe pyetjeve për elemente të veçantë të tij iu përgjigjën jo vetëm përfaqësues të dldp, por edhe specialistë të bashkisë Berat, të cilët tashmë kishin informacionin dhe njohuritë e nevojshme për aplikimin e plotë të modelit të llogaritjes së kostos. Deri në fund të 2018, dldp do të vijojë mbështetjen e saj në ndihmë të bashkive në mënyrë që aplikimi i këtij modeli të jetë pjesë e natyrshme e punës së bashkive, duke garantuar rritjen e efektivitetit të shërbimit, rritjen e transparencës dhe optimizimit të përdorimit të parave publike.