Në kuadër të punës dhe kontributit të vazhdueshëm që dldp jep në mbështetje të pushtetit vendor në sektorin e menaxhimit të mbetjeve urbane, në ambientet e hotel Xheko Imperial në Tiranë, u zhvillua takimi i radhës së Qendrës së Kompetencës së dldp, ku fokur ishte Menaxhimi i Mbetjeve Urbane.
Qendra e Kompetencës së dldp, aktive prej më shumë se 7 vite shërben si një platformë që synon rritjen e kapaciteteve të stafeve të bashkive partnere. Nëpërmjet të dhënave nga ekspertët dhe shkëmbimit të përvojave në sektorin e mbetjeve, synohet përmirësimi i instrumenteve që stafet lokale përdorin për rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar qytetarëve. Anëtarë të kësaj Qendre Kompetence janë drejtues dhe specialistë të Drejtorive të Shërbimeve Publike, nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe, Pukë, Dibër dhe Shijak.
Takimi dhe diskutimet kishin në fokus analizën e planit të punës të dakortësuar, zhvillimet e reja në sektorin e mbetjeve, aktet nënligjore të miratuara si dhe sfidat e masat për tejkalimin e tyre, indikatorët e performancës së shërbimit për 9-mujorin e 2018 dhe raportimi i tyre.
Në diskutimin lidhur me aktet nënligjore, programi dldp kishte të ftuar edhe kolegë nga bashkia Berat dhe bashki të tjera të Qarkut Berat, të cilët janë përballur me disa vështirësi në zbatimin në praktikë të VKM nr. 319 dt. 31. 05. 2018, për metodologjinë e llogaritjes së kostos së shërbimit. Duke qenë se Bashkia Berat është në fazën e përgatitjes së tenderit për shërbimin, shkëmbimi me bashki të tjera, pjesë e Qendrës së Kompetencës së dldp, ishte një ndihmesë e madhe për gjetjen e zgjidhjeve mbi bazën e përvojave të bashkive partnere të dldp.