Fushata “Të pastrojmë Shqipërinë!”: arritje dhe mësime

Në kuadër të aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”, nisur nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, më 24 nëntor 2017, dldp nxiti bashkitë partnere të programit t’i bashkohen kësaj iniciative. Programi mori përgjigje pozitive nga bashkitë, qoftë në aksione konkrete edhe në gadishmërinë për të vijuar këtë iniciativë edhe në 2018.
Në fillim të viti 2018, dldp mbështeti 6 bashki partnere (Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe, Pukë, Dibër dhe Shijak) me burime financiare dhe asistencë teknike në mënyrë që në secilën prej tyre të mund të organizohej një fushatë disa javore në vijim të aksionit “Ta pastrojmë Shqipërinë!”. Kjo fushatë kishte si qëllim jo vetëm angazhimin e stafeve të bashkive në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e komunitetit për pastrimin e territorit dhe mjedise më të pastra, por edhe në aksione dhe ndërhyrje konkrete në pikat problematike.
Rezultati i parë i rëndësishëm i kësaj fushate ishte forcimi i bashkëpunimit institucional mes pushtetit vendor dhe degëve territoriale (agjensive të dekoncentruara) të pushtetit qendror. Në sajë të koordinimit të programit dhe mbështetjes nga Ministria e Turizimit dhe Mjedisit, u arrrit që grupet e punës në secilën prej bashkive, të koordinonin ndërhyrjet e tyre dhe të kishin mbështetjen e Institucionit të Prefektit të Qarkut dhe të degëve territoriale (institucioneve), të mbështeteshin dhe të organizonin aksione të përbashkëta me forcat e Ministrisë së Mbrojtjes. Harmonizimi i këtyre veprimeve dhe ndërhyrjeve u realizua sidomos gjatë gjithë javës 16-22 prill, duke kulmuar me aksionin e përgjithshëm në secilën prej bashkive në ditën e tokës, më 22 prill. Bashkitë partnere të dldp e vazhduan këtë fushatë edhe pas kësaj date, duke mbuluar me aktivitete të gjithë periudhën përgatitore para fillimit të sezonit turistik deri në fund të muajit maj.
Të 6 bashkitë e përfshira në këtë fushatë, u mbështetën intensivisht me asistencë teknike nga ofruesit e shërbimeve ( REC, URI dhe MIA) për të përgatitur planet e punës, identifikuar sa më saktë pikat e nxehta për ndërhyrje në bashki si dhe grupet/aktorët të cilët do t’i bashkoheshin nismës. Në fund të muajit mars u organizuan takime me të gjithë aktorët vendorë për të përcaktuar kontributin e gjithsecilit actor, rezultatet, volumet e punës së pritshme që do t’i ndihmonin si në finalizimin e buxhetit, por edhe në marrjen e masave për gjetjen e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme. Në fillim të muajit prill bashkitë u përqendruan në dokumentimin e pikave problematike, sasive të mundshme për t’u larguar dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për prokurim dhe kontraktim (ku kishte nevojë). Ndërsa në peridhën 10 prill – 31 maj të gjitha bashkitë në bashkëpunim me strukturat e tjera lokale, rajonale dhe kombëtare organizuan disa aktivitete pastrimi të shtrira përgjatë zonave të ndryshme në të gjithë teritorin e tyre.
Rezultate të tjera të rëndësishme ishin angazhimi i sektorit privat dhe vullnetarëve nga institucionet vendore, lokale dhe kombëtare, si dhe gërshetimi i aktiviteteve të pastrimit me mobilizim komuniteti. Si pasojë e këtij angazhimi gjatë fushatës nuk kishim vetëm aktivitete me shkollat dhe strukturat e varësisë së Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, por edhe angazhime dhe kontribute konkrete të sektorit privat në vënien në dispozicion pa pagesë të mjeteve dhe punëtorëve në grumbullim dhe transport të mbetjeve inerte dhe atyre të përziera, sistemime sheshesh dhe mbjellje pemësh.
Në këtë fushatë roli i shkollave të angazhuara përveç ndërgjegjësimit, ishte edhe promotor i mobilizimit të burimeve njerëzore dhe financiare shtesë nga sektori privat, institucionet dhe individët. Aksione sensibilizuese pastrimi me shkollat, konkurset me materiale të riciklueshme, shfaqjet dhe vizitat përveç rritjes dhe edukimit, pasuruan edhe jetën sociale dhe kulturore të qendrave të banuara në fshatra, njësi administrative dhe qytete në të 6 bashkitë.
Angazhimi direkt i programit dldp, bashkive dhe institucioneve partnere pati rezultate konkrete në terren duke mundësuar grumbullimin dhe depozitimin në landfillin e Bushatit, apo në venddepozitimet e Pukës, Porto Romanos dhe të Peshkopisë të një sasie prej më shumë se 500 ton mbetje urbane. Në kuadër të këtij aksioni janë pastruar nga pikat problematike (hot spot-e), anët e rrugëve dhe qendrat e banuara duke i transportuar drejt pikave të grumbullimit gati 2800 m3 mbetje inerte. Janë mbjellë 110 pemë dhe drurë dekorativë, janë angazhuar 1600 vullnetarë nga institucionet publike dhe private, 23 kompani private kanë dhënë ndihmesën e tyre me mjete dhe fuqi punëtore, 8600 nxënës dhe studentë kanë kontribuar dhe marrë pjesë në aktivitetet e përbashkëta.
Një fushatë e tillë padyshim që ndikoi në rritjen e komunikimit të strukturave të qeverisjes vendore me komunitetin, ballafaqimit të nevojave dhe pritshmërive me realitetin, krijimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve dhe identifikimit e pikave të dobëta në menaxhim.
Pavarësisht rezulateve pozitive të arritura në një hark kohor kaq të shkurtër, secila prej bashkive tashmë ka nxjerrë edhe mësimet e saj për mënyrën e organizimit dhe cilat janë akvitetet e duhura në mbrojtje të mjedisit dhe menaxhimit të territorit në vijimësi. Përtej njerëzve më shumë të informuar, më shumë sasi mbetjesh të grumbulluara, ky ishte edhe rezultati kryesor i kësaj fushate.