Arritje të vazhdueshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve

Në takimin e radhës mbajtur më 7 qershor, në mbështetje të nismës “Për zbutjen e riskut në vend depozitime” udhëhequr nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dldp ka kontribuar në mbulimin e aspekte metodologjike, ngritje kapacitetesh dhe lehtësim të proceseve organizative. Kjo nismë lindi si nevojë për të njohur në thellësi gjendjen ekzistuese të vend depoziti-meve në rrafsh kombëtar dhe për të adresuar një grup zgjidhjesh të përshtatshme për zbutjen e risqeve që këto infrastruktura shfaqin. Kjo nismë përfshiu stafet e Prefekturave dhe Bashkive në të gjithë Shqipërinë.
Procesi i nisur në fillim të muajit Shkurt dhe i përmbyllur në një afat rekord 3 mujor, përfshin punën në terren të mbi 250 ekspertëve vendorë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme pasuruan platformën e të dhënave me gjithë të dhënat teknike të nevojshme.
Për të mundësuar zbatimin e kësaj Metodologjie është amenduar VKM Nr. 452, dt. 11.07.2012 “Për lendfillet e mbetjeve”, me mbështetjen e GIZ Albania. Në këtë mënyrë bëhet e mundur që bashkitë sot të arrijnë disa standarde për vend depozitimin e mbetjeve të tyre për një periudhë tranzitore deri në ndërtimin e lendfilleve dhe inceneratorëve sipas masterplanit.
Harmonizimi i kësaj Nisme me instrumentet strategjike kombëtare, që janë në hartim e sipër, si dhe vlerësimi që ekspertiza akademike i jep procesit, metodologjisë dhe rezultateve të platformës së ngritur janë një bazë e sigurtë për kalimin në fazën e zbatimit të nismës “Për zbutjen e riskut në vend depozitime”.
Në kuadër të punës së vazhdueshme që dldp ka bërë ndër vite dhe në bashkëpunim të ngushtë me aktorët vendorë dhe kombëtar u arrit që me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 319, datë 31 maj 2018, të botohet në Fletoren Zyrtare miratimi i masave për kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve.