Dldp nënshkruan marrëveshjen për fazën përmbyllëse

Programet zvicerane, Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp) dhe Risi Albania, dy projekte këto që zbatohen nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe mbështeten financiarisht nga qeveria zvicerane nënshkruan më 23 mars marrëveshjet e bashkëpunimit me Qeverinë Shqiptare për qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik me vlerë rreth 8.2 milionë euro.

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi (njëkohësisht ish anëtare e Rrjetit të Grave në Politikë, mbështetur nga dldp)  mirëpriti sot Ambasadoren Ruth Huber, Shefe e Departamentit për Bashkëpunimin me Evropën Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Të dyja këto projekte janë vazhdim i fazave të mëparshme të mbështetjes zvicerane për Shqipërinë, ku programi dldp është në fazën e tij përmbyllëse.

Pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve, në fjalën e saj përshëndetëse, Mesi theksoi bashkëpunimin afatgjatë dhe më shumë se 25-vjeçar të Shqipërisë me qeverinë zvicerane. Ajo u ndal tek 2 projektet, duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme dhe duke nënvizuar faktin se në fazat e mëparshme kanë rezultuar shumë të suksesshme.

Për sa i përket Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp), Mesi shprehu bindjen se ky projekt, edhe pse në fazën finale, do të kontribuojë më tej në forcimin e qeverisjes lokale. Ajo përshëndeti po ashtu fillimin e një projekti të ri në këtë drejtim – Bashkitë e Forta.

Duke shprehur falënderim të veçantë për Strategjinë e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për vitet 2018 – 2021 që u prezantua para pak kohësh, Mesi theksoi se bashkëpunimi afatgjatë mes dy vendeve është një dëshmi e qartë se Qeveria Zvicerane është pikërisht aty për të ndihmuar dhe mbështetur Shqipërinë në të gjithë nismat e saj dhe kjo e fundit është e angazhuar plotësisht në përmbushjen e objektivave.

Ndërsa zyrtarja e lartë zvicerane, Ambasadorja Ruth Huber përgëzoi reformat e Shqipërisë të ndërmarra deri më tani nëpërmjet mbështetjes zvicerane dhe ndërkombëtare si ajo e Reformës Territoriale dhe Administrative. “Në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ne jemi gjithmonë të lumtur të bashkojmë forcat dhe përpjekjet me qeveritë mike. Për më tepër, që Shqipëria është për ne një prej 4 shteteve prioritare”, tha ajo.

Dy javë më parë është lançuar Strategjia e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për vitet 2018-2021, e cila parashikon mbështetje për vendin tonë në 4 fusha kryesore: qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik e punësimi, shëndetësia, si dhe infrastruktura dhe energjia.

Marrëveshjet e nënshkruara janë shembujt e parë konkretë të projekteve që përfshihen në strategjinë e mbështetjes zvicerane.

Dldp shpreh mirënjohje Qeverisë Zvicerane për mbështetjen!