“Transparenca e buxhetit” – projekti më i ri në Bashkinë Shkodër

Në kuadër të mbështetjes së dldp ndaj bashkisë Shkodër, më datë 27 mars, Bashkia Shkodër organizoi një takim të hapur për të prezantuar dhe informuar qytetarët me projektin më të ri dhe të vetëm në llojin e saj në Shqipëri, për vitin 2017.
Në hapje të takimin informues eksperti i dldp, z. Elvin Hoxha theksoi se transparenca gjatë procesit të hartimit të buxheteve dhe raportimi i zbatimit të tij është një ndër kolonat kryesore për krijimin e një shoqërie të hapur dhe të zhvilluar.
Projekti “Transparenca e buxhetit” i mundëson qytetarëve pjesëmarrje aktive jo vetëm gjatë hartimit të politikave buxhetore, por edhe gjatë zbatimit të tyre.
Duke marrë parasysh natyrën teknike të buxhetit, është e rëndësisë thelbësore që informatat të cilat janë pjesë e buxhetit të përgatiten dhe të shpërndahen në mënyrë të thjeshtëzuar në mënyrë që publiku i gjerë të mund t’i kuptoj dhe të jetë në gjendje të bëjë komente apo të kërkojë informacione shtesë.
Në vazhdim të takimin, në fjalën e saj, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi, theksoi se përmes këtij projekti mundësohet për herë të parë në vend transparenca online e buxhetit për qytetarët e saj. Përmes këtij instrumenti qytetarët mund të njihen në kohë reale me çdo detaj dhe punë që ndodh në nivel vendor, duke u bërë edhe pjesë e sugjerimeve online.
Platforma online u shpjegua me demonstrime konkrete nga znj. Helga Sallaku, Përgjegjëse e teknologjisë dhe sistemeve të informacionit pranë Bashkisë Shkodër, e cila sqaroi për publikun organizimin dhe funksionimin e platformës online si pjesë e komunikimit me qytetarët. Ky instrument është i ndarë në tre module kryesore: në modulin e të ardhurave dhe shpenzimeve, në modulin Taksa e mia dhe modulin e hartës, e bazuar në platformën Google maps, së Bashkisë Shkodër sipas njësive administrative.
Transparenca e buxhetit është konceptuar dhe ndërtuar si një instrument për monitorimin e shpenzimeve publike të bashkisë nga ana e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Në këtë mënyrë rrit aksesin e publikut në informacion dhe ndihmon ta ndërgjegjësojë atë për të marrë pjesë më shumë në proceset e hartimit të dokumenteve strategjike financiare të bashkisë.
Ky instrument tregon gjithashtu se si qytetarët po kontribuojnë në të ardhurat e bashkisë, duke dhënë informacione për secilën nga taksat dhe tarifat, por në të njëjtën kohë edhe se si çdo njësi administrative kontribuon në këto të ardhura.
Njëkohësisht synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për të paguar taksat, duke rritur ndjenjën e pronësisë dhe përgjegjësisë më të madhe ndaj pronave dhe investimeve të bashkisë.
Dldp synon përmes këtij procesi të mbështesë bashkinë në një planifikim më efektiv, pjesëmarrje më të zgjeruar dhe rishpërndarje sa më të drejtë të buxhetit.