Gjatë datave 5 – 9 Shkurt 2017, një delegacion i nivelit të lartë i kryesuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore z. Bledar Çuçi, i përbërë nga anëtarë të parlamentit shqiptar dhe stafit të Ministrisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zvicër. Vizita u organizua në kuadër të mbështetjes që Qeveria e Zvicrës (nëpërmjet SDC) i jep Shqipërisë në fusha të tilla si decentralizimi, financat vendore dhe qeverisja e mirë, nëpërmjet Programit për Zhvillim Lokal dhe Decentralizim, zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation.
Gjatë tre ditëve të kësaj vizite z. Çuçi dhe delegacioni që e shoqëronte, patën mundësinë të njihen me përvojën zvicerane në fushën e financave vendore, luftës ndaj korrupsionit dhe ndërtimin e marrëdhenieve mes tre niveleve të pushtetit federal, kantonal dhe komunal. Kjo eksperiencë u shkëmbye nëpërmjet takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të nivelit federal në Departamentin Federal të Financës, Departamentin Federal të Drejtësisë dhe Policisë, Departamentin Federal për Çështjet me Jashtë, si edhe në nivelin kantonal në Kantonin e Bernës gjatë takimit me Drejtorin (Ministër) i Drejtësisë, Komunave dhe Kishave, apo në nivel lokal në takimin me Kryetarin e Bashkisë së Interlaken.
Pjesëmarrja në këtë delegacion edhe e katër anëtarëve të parlamentit të Shqipërisë nga komisioni parlamentar i ligjeve dhe stafit më të lartë të Ministrit Çuçi, kishte si objektiv edhe angazhimin e parlamentit dhe Ministrisë në përgatitjen dhe diskutimin e ligjit të ri për financat vendore. Kësaj i shërbyen edhe takimi në Departamentin Federal të Financave apo shkëmbimet me ekspertët zviceranë të decentralizimit fiskal.
Delegacioni vizitoi Parlamentin Federal ku Ambasadori Claudio Fischer shpjegoi sistemin politik dhe legjislativ zviceran, ndërsa znj. Elisabeth von Capeller, Zv. Drejtore e Përgjithshme e SDC dhe Shefe e Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore pati mundësinë të shkëmbente mendime dhe opinione me delegacionin gjatë një darke zyrtare, që ajo shtroi për nder të tyre.
Zbatimi në praktikë i parimit të subsidiaritetit, demokracisë direkte, ekualizimit fiskal, kolegjialitetit apo proceseve konsultuese me grupet e interesit ishin disa prej pikave, që anëtarët e delegacionit vlerësuan si “mësime kyçe” nga njohja me sistemin politik dhe legjislativ zviceran, një sistem i veçantë dhe kompleks, por që funksionon në mënyrë të përkryer.
Gjatë gjithë qëndrimit të tij, delegacioni shoqërohej edhe nga z. Ilir Gjoni, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër dhe nga nëpunës të SDC, Helvetas Swiss Intercooperation dhe dldp.