Dldp në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) filloi trajnimet kombëtare për vitin 2017 duke nisur nga marsi dhe në vazhdim gjatë muajve maj e qershor janë organizuar trajnime mbi ofrimin e shërbimeve administrative nga qeverisja qendore, mbi menaxhimin e financave publike vendore dhe mbi menaxhimin e mbetjeve urbane.
Duke marrë në konsideratë reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore si dhe miratimin e Strategjisë së Decentralizimit, një nga objektivat kryesorë të saj është edhe ngritja e aftësive profesionale të punonjësve të Njësive të Qeverisjes Vendore.
Në vitin 2016, dldp dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), si autoriteti ligjor për dhënien e trajnimeve të certifikuara për punonjësit e qeverisjes vendore, përmbushën për herë të parë, trajnime afatgjata, në Menaxhimin e Financave Publike dhe në Menaxhimin e Mbetjeve.
Ky bashkëpunim u zgjerua edhe më tej gjatë vitit 2017 edhe me Programin e Shërbimeve Administrative Vendore.
Në vazhdën e përvojës së mirë të bashkëpunimit me dldp janë identifikuar dhe kontraktuar Agjencitë e Zhvillimit Rajonal të vendit në rolin e lehtësuesit të aktiviteteve të parashikuara për mbarëvajtjen e këtyre trajnimeve.
Në bashkëpunim me AZHR 1, dldp dhe ASPA filluan trajnimin e parë për Qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës për ‘Ofrimin e shërbimeve administartive në nivel vendor”. Ky trajnim përmban 3 module dhe u zhvillua brenda muajit maj. Trajnimi i parë në Shkodër u organizua në datat 11-12 maj dhe morën pjesë 27 përfaqësues nga 10 bashkitë e Rajonit Shkodër. Ndërsa më 18-19 maj në bashkëpunim me AZHR 2, ky trajnim u mbajt për bashkitë e qarqeve Tiranë, Durrës dhe Dibër.
Ndërsa më 8 qershor, në bashkëpunim me AZHR 4 ky trajnim u mbajt me ekspertë nga qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Fier.
Në kuadër të Programit të Trajnimit për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane në bashkëpunim me ASPA u mbajt më 25 maj trajnimi mbi modulin e II për Llogaritjen e Kostos dhe Tarifës, në bashkëpunim me katër Agjencitë e Zhvillimit Rajonal.
Aftësimi i vazhduar i ekspertëve të 61 njesive të vetqeverisjes vendore në fushën e menaxhimit të financave publike vendore, si pjesë e Strategjisë kombëtare të Decentralizimit dhe Strategjisë ndër-sektoriale për Reformën në Administratën Publike u konkretizua me zhvillimin e trajnimeve kombëtare mbi modulit e parë “Planifikimi Strategjik dhe Menaxhimi i Financave Vendore” që u zhvilluan në muajin qershor me pjesëmarrje të gjerë nga ekspertë të fushës nga 12 qarqet e vendit.