Dldp ka ndihmuar stafin e Bashkisë Shkodër në hartimin e një instrumenti për transparencën dhe monitorimin e buxhetit të bashkisë. Kjo asistencë e dhënë për Bashkinë Shkodër vjen pas një bashkëpunimi disavjeçar në fushën e menaxhimit të financave vendore. Gjatë vitit 2015, si vit i parë Bashkisë së madhe pas reformës territoriale, dldp mbështeti bashkinë në hartimin një buxheti sa më të mirë për vitin 2016. Ky buxhet u hartua nga ekspertët e dldp në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e bashkisë duke përfshirë të gjitha drejtoritë dhe pas përfundimit me anë të Ministrisë së Financave u shpërnda si model i mirë në të gjitha bashkitë e vendit. Kjo praktikë e mirë dhe ky model i mirë i një buxheti të hartuar ishte një dokument i mirë për ekspertët e bashkisë, por kishte shumë faqe dhe nuk kuptohej lehtë nga qytetarët. Nga këtu lindi nevoja e hartimit të një instrumenti që bazohej në dokumentin e hartuar të buxhetit me programe, por që duhej të lexohej dhe të kuptohej edhe nga qytetarët e thjeshtë që kishin vështirësi për të lexuar dokumente të tilla profesionale.
Instrumenti i transparencës dhe monitorimit të buxhetit (SBT) vendos në hartë të gjitha projektet që bashkia ka në buxhet, duke treguar edhe statusin e tyre, nëse ka filluar apo ka përfunduar. Instrumenti SBT u jep qytetarëve informacione se cili është projekti, sa është vlera e investimit, cila është kompania që do të realizojë projektin dhe cilat janë afatet e realizimin të këtij projekti. Gjithashtu u jepet mundësi qytetarëve të shohin dhe të bëjnë krahasimin nëpërmjet fotografive të vendosura si ka qenë para dhe pas përfundimit të projektit. Të gjithë qytetarët mund të kërkojnë sipas programeve buxhetore të bashkisë se në cilën njësi administrative po realizohen projektet. Instrumenti SBT jep informacione jo vetëm për shpenzimet, por edhe mbi ardhurat, se cili është niveli i të ardhurave të paguara nga secila njësi administrative gjatë periudhave të vitit dhe gjatë viteve të ndryshme.
Dldp ka mundësuar edhe një fushatë promocionale me slloganin NE JEMI TRANSPARENT për të prezantuar instrumentin tek qytetarët për këtë arsye janë hartuar materiale promocionale që janë shpërndarë gjatë takimeve të ndryshme të bëra me qytetarë dhe grupe të ndryshme të interesit. Në mediat lokale është transmetuar edhe një spot televiziv që jep informacion se si mund të përdoret instrumenti SBT nga faqja e Bashkisë Shkodër. Ky shembull i mirë i transparencës së buxhetit me mbështetjen e dldp po replikohet edhe në Bashkinë e Durrësit.