Trajnimi i radhës i identifikua nga vetë gratë e Rrjetit mbi nevojën për të rritur aftësitë komunikuese u zhvillua në datat 20 – 21 maj 2017, në Prishtinë, Kosovë ku morën pjesë gratë këshilltare të Qarkut Dibër, Kukës dhe Lezhë.
Në dy ditët e trajnimit, ekspertja për komunikim dhe media, Valbona Sulçe Kolgeci, trajtoi tema me interes dhe shumë të dobishme për t’i ndihmuar gratë këshilltare për të formuluar një fjalim të mirë, të menaxhojnë të folurit në publik, të jenë profesionale në prezantime të ndryshme, etj.
Dita e parë e trajnimit u hap me një model të suksesshëm të figurës së gruas në politikë, dhe për këtë ishte e ftuar znj. Mimoza Kusari – Lila, Kryetare e Bashkisë Gjakovë, e cila foli mbi rolin e grave në jetën politike në nivel qendror dhe vendor në Kosovë.
Ajo tregoi mbi rrugëtimin dhe përvojat e krijuara gjatë punës së saj në pozicione të ndryshme në politikë duke dhënë mesazhin se politika kërkon karakter të fortë, njohuri të gjera dhe mbi të gjitha vullnet dhe bashkëpunim për të tejkaluar sfidat që paraqiten në kontekste komplekse të rajonit ku jetojmë.
Gratë këshilltare kishin interest të shtuar rreth mënyrës sesi përfshihen gratë në listat zgjedhore, sesa konsiderohet fjala e tyre në vendimmarrje, qëndrimi kritik ndaj liderit, etj.
Në përfundim të ditës së parë të trajnimit diskutimet u fokusuan mbi identifikimin e disa çështjeve që lidhen me pushtetin vendor të cilat mund të mbështeten edhe nga gratë kandidate gjatë fushatave të tyre për zgjedhjet parlamentare të këtij viti si dhe identifikimin e paketave ndihmëse për gratë këshilltare.
Në përfundim të trajnimit gratë këshilltare u njohën edhe me Blogun e krijuar nga dldp kushtuar Rrjetit të Grave në Politikë i cili synon promovimin e këtij Rrjeti dhe informimin e publikut me punën dhe arritjet e Rrjetit. Trajnimi përfundoi me sukses duke forcuar më tej frymën bashkëpunuese mes grave këshilltare të Qarqeve Dibër, Kukës dhe Lezhë.