“Arti i të folurit në publik” – Trajnim me Rrjetin e Grave në Politikë

Dldp ka mbështetur Rrjetin e Grave në Politikë përmes trajnimeve të shumta për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve dhe aftësive në fusha të tilla si qeverisja vendore, buxhetimi gjinor, përfshirja sociale në mënyrë që zëri i grave të ndihet më shumë gjatë takimeve të këshillit bashkiak ku merren vendime për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Si nevojë për trajnim nga vetë gratë u identifikua edhe pajisja me aftësi komunikuese dhe për këtë arsye në datat 13-14 maj 2017, në Budva të Malit të zi u organizua trajnimi “Arti i të folurit në publik” me pjesëmarrëse gratë këshilltare të Qarkut Shkodër dhe Durrës.
Në dy ditët e trajnimit, ekspertja për komunikim dhe media, Valbona Sulçe Kolgeci, trajtoi tema me interes dhe shumë të dobishme për t’i ndihmuar gratë këshilltare për të formuluar një fjalim të mirë, të menaxhojnë të folurit në publik, të jenë profesionale në prezantime të ndryshme, etj.
Në ditën e parë të trajnimit të ftuara ishin edhe dy anëtare të Parlamentit Malazes, znj. Jovanka Laliçiç dhe znj. Marta Scepanoviç, e cila ishte edhe anëtare e Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes.
Znj. Jovanka Laliçiç foli mbi përvojën e saj si drejtuese në nivel vendor, sfidat dhe sukseset e arritura si dhe kalimin në nivel kombëtar përmes Parlamentit ku përgjegjësia dhe detyrimi kundrejt komunitetit është më i madh.
Znj. Marta Scepanoviç gjatë ndarjes së përvojës së saj me pjesëmarrëset u ndal më shumë në sfidat dhe vështirësitë me të cilat ndeshen gratë në fushën e politikëbërjes ku ia dilet vetëm në sajë të një angazhimi serioz dhe të përgjegjshëm për rolin që mbart. Ajo theksoi se çelës suksesi është edhe bashkëpunimi mes kolegesh pavarësisht profileve dhe përkatësive politike, të cilat kapërcehen kur çështjet janë të një rëndësie madhore.
Gratë këshilltare kishin interest të shtuar rreth mënyrës sesi përfshihen gratë në listat zgjedhore, sesa konsiderohet fjala e tyre në vendimmarrje, sesa bashkëpunojnë me Parlamentin Shqiptar, etj.
Në përfundim të ditës së parë të trajnimit diskutimet u fokusuan mbi identifikimin e disa çështjeve që lidhen me pushtetin vendor të cilat mund të mbështeten edhe nga gratë kandidate gjatë fushatave të tyre për zgjedhjet parlamentare të këtij viti si dhe identifikimin e paketave ndihmëse për gratë këshilltare.
Në përfundim të trajnimit gratë këshilltare u njohën edhe me Blogun e krijuar nga dldp kushtuar Rrjetit të Grave në Politikë i cili synon promovimin e këtij Rrjeti dhe informimin e publikut me punën dhe arritjet e Rrjetit. Trajnimi përfundoi me sukses duke forcuar më tej frymën bashkëpunuese mes grave këshilltare të Qarqeve Shkodër dhe Durrës.