Bashkia Mat, në përputhje me ligjin për informimin e publikut organizoi më datën 9 qershor dëgjesën publike mbi çështjen e Planit të Zhvillimit dhe Rregullores Vendore, si pjesë integrale e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të kësaj bashkie. Aktiviteti u mbajt në ambientet e Pallatit të Kulturës në Burrel. Gjithashtu pjesë e prezantimit në dëgjesë ishte edhe dokumenti i Planit Buxhetor Afatmesëm 2017 – 2020 që po hartohet në përputhje me objektivat strategjike të përcaktuara në Strategjinë Territoriale të bashkisë.
Në fjalën e hapjes kryetari i bashkisë, z. Nezir Rizvani, pasi falenderoi mbështetjen e qeverisë zvicerane përmes bashkëpunimit me programin dldp dhe stafit të saj si dhe kompaninë konsulente, shprehu vlerësimin e madh për interesin e vazhdueshem nga publiku në ndjekjen e degjesave të shumta të organizuara në kuadër të hartimit të PPV të bashkisë Mat.
Pas prezantimeve të bëra nga ekpertët e bashkisë dhe kompanisë konsulente, pati një seancë diskutimesh të hapura ku të pranishmit përveç njohjes me propozimet konkrete të PPV dhanë edhe sugjerime kryesisht në lidhje me infrastrukturat lokale dhe zonat urbane.