Dldp promovon Katalogun e Grave Këshilltare – Qarku Shkodër

Programi zviceran dldp ka mbështetur prej vitit 2011 Rrjetin e Grave në Politikë, i themeluar fillimisht me gratë këshilltare të Qarkut Shkodër dhe Lezhë, për t’u zgjeruar në vitin 2014 me gratë këshilltare të Qarkut Kukës, Dibër dhe Durrës dhe sot numëron mbi 468 anëtare të rrjetit.
Rrjeti duke qenë një grupim jozyrtar i grave që janë pjesë të strukturave partiake dhe përfaqë-suese të tyre në trupa vendimmarrës në këshillat bashkiak, bashkon pa dallime politike gra që synim kryesor kanë shërbimin në të mirë të komunitetit duke u bërë promotore të ndryshimeve vendore dhe kombëtare në çështje me ndjeshmëri sociale e gjinore.
Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që dldp jep prej vitesh përmes aktiviteteve të ndryshme të Rrjetit të Grave në Politikë, më 12 Maj 2017, në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Shkodër u promovua edhe “Katalogu – Profilet e Grave Këshilltare të Këshillave Bashkiakë – Qarku Shkodër”, që përfshin gratë këshilltare në zgjedhura për të ushtruar mandatin e tyre gjatë zgjedhjeve vendore 2015-2019.
Në këtë aktivitet ishin ftuar edhe gratë këshilltare të Këshillit Bashkiak të Qarku Durrës, por edhe gra që kanë dhënë kontribut në rritjen e rolit të grave në nivel vendor, si Klodiana Spahiu, Voltana Ademi.
Në promovim gratë këshilltare u përshëndetën edhe nga një Delegacion të parlamentarëve eurodeputet gjermanë të Unionit Kristiano Demokrat – CDU të cilët përgëzuan Rrjetin për rolin aktiv dhe pozitiv përmes modelit të krijuar prej vitesh.
Menaxherja e programit dldp, Valbona Karakaçi gjatë fjalës së hapjes vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe vullnetin pozitiv që kanë gratë këshilltare për të ofruar ndihmën e tyre në çështje me ndjeshmëri sociale.
Parlamentarja Klodiana Spahiu theksoi rëndësinë që ka përvoja e krijuar në këshillat vendorë për gratë që kandidojnë në zgjedhjet parlamentare në përçimin e problemeve dhe të kuptuarit gjithëpërfshirës të aspekteve gjinore në nivel vendor dhe kombëtar.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, nënvizoi sukseset e arritura nga gratë këshilltare të Këshillit Bashkiak Shkodër për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë e veçanërisht grave kryefamiljare përmes lehtësimeve të konsideruara edhe në paketën fiskale të buxhetit të bashkisë.
Katalogu i Grave Këshilltare synon promovimin e profileve të këtyre grave vullneti dhe ambicia e të cilave lidhet ngushtë me respektimin e votbesimit nga komuniteti ku jetojnë dhe për të cilin punojnë.