Vizita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Manuel Sager në programin dldp

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Manuel Sager ishte në Shqipëri dhe ndër të tjera u njoh më nga afër edhe me projektet e financuar nga programi zbatues zviceran dldp.

Gjatë vizitës treditore të delegacionit zviceran kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), z. Manuel Sager, delegacioni u njoh nga afër me programin zbatues zviceran dldp përmes dy projekteve të financuar në Bashkinë Mat dhe Bashkinë Durrës.
Në ditën e parë të vizitës, më 25 prill, delegacioni u mirëprit nga Kryetari i Bashkisë Mat, z. Nezir Rizvani, i cili falenderoi mbështetjen zvicerane e cila bëri të mundur realizimin e dy projekteve shumë të rëndësishme për bashkinë Mat, hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe ngritjen e Zyrës me Një Ndalesë, projekte këto të mbështetura nga programi zviceran dldp.
Të mërkurën pasdite, më 26 prill, delegacioni u takua me Kryetarin e Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako ku u inaugurua një ura e rinovuar e cila lidh fshatrat Jubë dhe Rrushkull. Një rrugë hyrëse prej 500 metrash u shtrua midis qendrës Rushkull dhe urës.
“Zvicra ka qenë një partner i besueshëm për Shqipërinë veçanërisht në qeverisjen vendore e cila është edhe më pranë njerëzve. Ura simbolizon miqësinë dhe partneritetin midis Shqipërisë dhe Zvicrës”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Manuel Sager.