Platforma dixhitale në ndihmë të administratës publike

Projekti e-Library për administratën publike ka hyrë në fazën e konsolidimit të platformës dixhitale, e cila vijon paralelisht me procesin e vlerësimit të cilësisë së kurrikulave (SVC). Me mbështetjen teknike dhe financiare të dldp, ASPA ka zhvilluar një proces informimi mbi rezultatet e vlerësimit të cilësisë me të gjitha organizatat, programet partnere dhe donatorët që kanë pranuar të jenë pjesë e këtij procesi. Organizatat dhe donatorët që kanë shprehur interesin më të madh për të qenë pjesë e kësaj platforme janë REC, GIZ, Sh.B.Sh, CoE, Partners, EMA, UND, USAID-PLGP, CoPlan, IDM).
Nisur nga ky fakt, më 5 korrik 2017, ASPA organizoi “Një ditë të hapur informimi” mbi këtë proces, ku u ftuan të gjithë organizatat që kanë bashkëpunuar dhe janë bërë pjesë e këtij projekti.
Ky aktivitet gjeti në veçanti interesin e Ministres së Shtetit për Invovacion dhe Administratën publike, Znj. Milena Harito dhe të Ambasadorit të Zvicrës në Tiranë, Amb. Christoph Graf.
Përveç procesit vlerësues dhe aplikativ, dldp ka prezantuar rendësinë dhe strukturën e aktit ligjor, i cili do të shërbejë si instrument rregullues dhe detyrues për të gjithë ofruesit e trajnimeve për administratën publike vendore e qendrore.
Nisur nga qëllimi që ka procesi i vlerësimit të kurrikulave, ASPA dhe dldp kanë identifikuar si aktorë në këtë proces edhe sektorin privat, i cili është mjaft aktiv në formimin profesional të administratës publike.
Nga 145 Qendra të Formimit Profesional (QFP) që janë aktive (databazë e MMRs deri në vitin 2016), janë identifikuar 8 QFP të cilat ofrojnë trajnime profesionale për administratën publike.
Gjatë muajit gusht dhe shtator është zhvilluar një axhendë prezantimi dhe konsultimi me përfaqësuesit e këtyre qendrave dhe një pjesë e tyre ka vënë në dispozicion edhe materialet e para kurrikulare, me qëllim aplikimin e sistemit të vlerësimit të cilësisë. Ndërkohë, duke qenë se deri në këtë moment janë publikuar online në platformën e-Library mbi 50 materiale kurrikulare, nga të cilat 25 kanë kaluar SVC (sistemin e vlerësimit të kurrikulave) dhe Platforma dixhitale ka rreth 328 përdorues të saj, ASPA dhe dldp kanë filluar ndërtimin e kapaciteteve administruese brenda stafit të ASPA, të cilët do jenë dhe moderatorët e procesit të vlerësimit të cilësisë dhe përdorimit të vet platformës.
Trajnimi i parë i stafit të ASPA është zhvilluar për Menaxherët e trajnimeve të ASPA, ndërsa një proces asistues do të vijojë gjatë fazës përmbyllëse të këtij projekti.