Në kuadër të punës disa vjeçare të programit dldp në fushën e zhvillimit vendor vjen dhe mbështetja për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të bashkisë Tropojë dhe katër bashkive të tjera që janë Malësia e Madhe, Mati, Klosi dhe Vau i Dejës.
Për të siguruar kohezionin social-ekonomik të bashkive të reja të krijuara nga reforma administrative territoriale (TAR), qeveria shqiptare filloi në vitin 2015 mbështetjen e hartimit të PPV për 26 nga bashkitë kryesore të vendit. Pas miratimit të Reformës Administrative, një nga sfidat kryesore të bashkive të reja, është zhvillimi i qëndrueshëm i një territori të ri, i krijuar nga njësi që më parë ishin të ndara dhe në këtë kontekst PPV është një ndër instrumentet strategjike dhe territoriale, që kontribuon në konsolidimin e kësaj reforme.
Kuadri ligjor për planifikimin e territorit, përmes udhëzimeve që jep, për hartimin e Planeve të Përgjithshëm Vendore (PPV) siguron që në fund të procesit, Plani të jetë një dokument orientues strategjik për zhvillimin e bashkisë në tërësi. Synimet dhe objektivat e PPV sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm të bashkisë në aspektin urban, infrastrukturor, bujqësor, mjedisor dhe çdo element tjetër të rëndësishëm për 10-15 vitet e ardhshëm. Gjithashtu ndër objektivat kryesorë të këtij dokumenti është edhe sigurimi i një kohezioni social dhe ekonomik mes Njësive Administrative, pjesë përbërëse e bashkive pas Reformës Territoriale Administrative.
Në procesin e hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, transparenca me komunitetin dhe konsultimi me gjithë grupet e interesit, përveçse një kërkesë ligjore, ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në fokusin e dldp. Në këtë kuadër, programi dldp në bashkëpunim me bashkinë Tropojë organizoi ekspozitën për Planin e Përgjithshëm Vendor e cila qëndroi e hapur nga data 19 deri me 26 korrik në sheshet kryesore të qytetit të Bajram Currit.
Elementi bazë i komunikimit në këtë ekspozitë ishin hartat e ndryshme të PPV. Përmbajtja e ekspozitës, ka një përshkallëzim informacioni nga një shikim në shkallë të gjerë (rajonal) deri në detaje të propozimeve zhvillimore në nivel parcele (përdorim i tokës).
Në formë të përmbledhur hartat paraqesin:
Pozicionin e bashkisë në nivel rajonal; Vizioni i zhvillimit të bashkisë Tropojë; Prioritetet dhe Objektivat kryesore; Projektet strategjike të propozuara dhe fazimi i tyre; Përdorimi i tokës ku jepen sqarohen dhe kategoritë dhe nënkategoritë e përdorimit të tokës për gjithë territorin e bashkisë.