25 vjet ndihmë dhe bashkëpunim me qeverinë e Zvicrës në Shqipëri

Ky vit shënoi 25 vjet që nga hapja e Ambasadës së Zvicrës në shtator 1992 në Tiranë. Në kuadër të këtij përvjetori, në Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri u zhvillua një veprimtari me diskutime dhe përshëndetje nga diplomatë dhe qeveritarë nga të dy vendet.
Veprimtaria u përqendrua në 25 vjet të pranisë zvicerane dhe bashkëpunimit për zhvillim në Shqipëri dhe u vlerësuan marrëdhëniet zvicerane-shqiptare. Ambasadori zviceran, z. Graf theksoi lidhjet e forta midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe progresin e Shqipërisë gjatë këtyre viteve.
Veprimtaria vazhdoi me diskutimet e panelit mbi arritjet dhe sfidat e Bashkëpunimit Zviceran gjatë këtyre viteve.
Paneli përfshinte ish-ministren për Zhvillim Urban, znj. Eglantina Gjermeni, Kryetaren e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi dhe Koordinatorin e Përhershëm të OKB-së Brian Williams.
Në fjalën e saj, znj. Ademi theksoi se programi i mbështetjes së zhvillimit të Zvicrës në mënyrë të veçantë ka ofruar një mundësi për të investuar në pushtetin lokal si dhe mbështesin bashkëpunimin e qytetarëve me autoritetet lokale.
Duke punuar direkt me bashkitë programet e financuara nga Zvicra po fuqizojnë pushtetin lokal në:
-hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit; – në menaxhimin e brendshëm dhe në pjesëmarrjen qytetare;
– në ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin financiar; si dhe në zgjidhje te reja teknike dhe të mençura për identifikimin e problemeve.
Prej më shumë se tetë vitesh Bashkia e Shkodrës ka paturn një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe për këtë Kryetarja falenderoi Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Programin për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal (dldp) si dhe fondacioni Helvetas Swiss Intercooperation.