Ju prezantojmë Zëvëndës Kryeministren tonë të re të Shqipërisë, znj. Senida Mesi.
Pasi u zgjodh si anëtare e Kuvendit këtë verë, më 25 qershor 2017, ajo u emërua si numri dy i qeverisë shqiptare.
Urime për ju znj. Senida Mesi, një nga anëtarët më aktive të Rrjetit të Grave në Politikë, një rrjet ky i mbështetur nga programi zviceran dldp.
Më poshtë ju paraqesim një profil të përmbledhur, pjesë e katalogut të Rrjetit të Grave në Politikë, botuar nga dldp në Shtator 2017.
Senida Mesi ka lindur në Shkodër, më 16 dhjetor 1977. Mbaroi studimet universitare në Universitetin e Tiranës në degën Administrim-Biznes. Në vitin 2009 diplomohet edhe në Frankfurt të Gjermanisë pranë Akademisë “Procredit Banker’s”, ndërsa në vitin 2013 merr titullin “Kontabël i miratuar” nga Autoriteti Çertifikues i Ministrisë së Financave.
Aktualisht është konsulente e pavarur, profesionaliste e sistemit bankar, financës dhe ekonomisë, si dhe pedagoge me mbi 15 vite përvojë.
Pa u shkëputur nga mësimdhënia universitare i është përkushtuar sistemit bankar, duke nisur punë në Procredit Bank. Më 2003 emërohet drejtore e bankës për degën e Shkodrës, ndërsa më 2011 merr rolin e drejtores rajonale për Veriun.
Gjatë këtij aktiviteti ka marrë pjesë në shumë trajnime profesionale për menaxhimin, financën, komunikimin, etj.
Senida Mesi: “Çfarë kemi arritur deri tani mund të duket e thjeshtë, për ju që po dëgjoni, por nuk është aspak e tillë. Ajo kërkon punë, lexim, lobim, komunikim dhe mbi të gjitha të jesh i vëmendshëm ndaj hollësive dhe të këmbëngulësh për diçka. Vetëm këmbëngulja dhe përkushtimi bënë të mundur realizimin e tri projekteve të vogla, nëse mund t’i quaj të tilla. Nuk e di sa të tjera na presin, por përfundimisht besoj se me këmbëngulje dhe përkushtim mund të arrihet çdo gjë.”