Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Klosi në diskutim me banorët e Dibrës mbi planin e menaxhimit të mbetjeve hartuar nga programi zviceran dldp.
Gjatë vizitës së Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit z. Blendi Klosi në Dibër, më 11 nëntor 2017 u organizua forumi i dialogut me temë “Promovimi i modelit të menaxhimit të mbetjeve”.
Në këtë aktivitet morën pjesë qytetarë të shumtë, administratorë, kryepleq, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të administratës.
Përfaqësuesit e Bashkisë shpjeguan arritjet dhe sfidat që shoqëruan zbatimin e projektit “Fuqizimi i sistemit të menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Dibër” dhe “Rehabilitimi i fushës së mbetjeve urbane të bashkisë Dibër”, financuar nga programi dldp me mbështetjen teknike të Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) në Shqipëri.
Në zbatim të këtij projekti u hartua dhe miratua dokumenti strategjik “Plani për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane” për të gjithë Bashkinë e re, si dhe u investua në infrastrukturën vendore për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve (195 kontenierë të rinj dhe një makinë teknologjike) si dhe u rehabilitua fusha e mbetjeve urbane të qytetit.
Në fjalën e tij të rastit Ministri Klosi shprehu nevojën dhe domosdoshmërinë për pastrimin jo vetëm të Dibrës, por të gjithë Shqipërisë. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për mbajtjen pastër jo vetëm të mjediseve private, por edhe të hapësirave publike nëpërmjet angazhimit të tyre në këtë proces.
Pjesëmarrësit dhanë mendimet e tyre në lidhje me këtë problem të rëndësishëm.
Gjatë bashkëbisedimit u kërkua mbështetja e Ministrisë për të ndihmuar bashkinë në mënyrë që t’i jepet zgjidhje më afatgjatë me studime dhe investime në fushën e menaxhimit të mbetjeve.