Tetë bashki të vendit fituan çmime për praktika të mira në qeverisjen vendore në kuadrin e nxitjes që Ministria e Brendshme dhe Ambasada e Zvicrës i japin bashkive të reja për zbatimin e Strategjisë së Decentralizimit dhe konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale.
Tetë bashki të vendit fituan çmime për praktika të mira në qeverisjen vendore në kuadrin e nxitjes që Ministria e Brendshme dhe Ambasada e Zvicrës i japin bashkive të reja për zbatimin e Strategjisë së Decentralizimit dhe konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale.
Të pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve të Konkursit Kombëtar të Praktikave të Mira ishin Zëvendës-kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf, Kryetarë dhe përfaqësues të Bashkive, përfaqësues nga institucione qendrore e organizata të huaja, donatorë të ndryshëm, etj.
Konkursi u organizua nga Ministria e Brendshme dhe “Programi për Decentralizim e Zhvillim Vendor” (DLDP), që zbatohet nga “Helvetas Swiss Intercooperation” dhe financohet nga qeveria Zvicerane.
Një çmim në total prej 30,000 frangash zvicerane iu dha 5 bashkive (Vau i Dejës, Lezhë, Sarandë, Korçë, Vlorë). Ndërsa, katër çmime me nga 5,000 franga zvicerane u fituan nga bashkitë: Shkodër, Mat, Korçë dhe Fier, të përzgjedhura si praktikat më të mira në nivel rajonal.
Një çmim i veçantë si “Vlerësim nga Shoqëria Civile për Praktikat e Mira të Bashkive” i shkoi bashkisë së Vlorës.
Praktikat fituese përfshinin: shërbime të përmirësuara turizmi, zyra me një ndalesë, qendra për qytetarë me aftësi të kufizuara, si dhe informimi e komunikimi për qytetarët.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv/kryeministrja Mesi duke u ndalur tek praktikat e mira që bashkitë e reja kanë realizuar pas reformave të mëdha që janë ndërmarrë (reforma territoriale; reforma e decentralizimit; ligji për financat vendore – shoqëruar me një rritje të transfertave për bashkitë), nënvizoi faktin se jemi në rrugën e drejtë për të arritur një funksionim gjithnjë e më të mirë të qeverisjes vendore në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimit të jetës së tyre.
“Është në detyrën e secilës prej 61 Bashkive për të bërë përpjekje maksimale dhe sjellë ndryshime në komunitetet përkatëse. Në kuadër të Programit zviceran për Decentralizim e Zhvillim Vendor (DLDP) dhe projekteve të financuara nga programi në nivel qeverisjeje vendore, sot janë vlerësuar vetëm një pjesë e Bashkive”, nënvizoi Mesi.
Vlerësimi i sotëm, vijoi ajo, shkon në radhë të parë për stafet dhe kryetarët e bashkive, së bashku me urimin që eksperienca e tyre të jetë nxitëse edhe për bashkitë e tjera.
Gjatë ceremonisë u paraqit edhe Raporti i Monitorimit të Procesit të Decentralizimit, një punë e kryer nga Programi zviceran për Decentralizim e Zhvillim Vendor (DLDP), i cili tregon mbi ecurinë e decentralizimit dhe përshkruan nivelin e arritjeve apo të sfidave që ndeshen në këtë proces.
Sipas Raportit, rezulton një rritje prej 19% krahasuar me vitin 2016-të e transfertës së pakushtëzuar për qeverisjen vendore nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër, të ardhurat e Bashkive nga taksat dhe tarifat vendore, janë rritur me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konkursi Kombëtar i Praktikave të Mira nga qeverisja vendore ka si qëllim pikërisht evidentimin e përpjekjeve të bashkive për t’iu përgjigjur sfidave që kanë dalë nga zbatimi i reformave, dhe shpërblimin e disa prej nismave më të mira prej këtyre bashkive.
I zhvilluar për të dytin vit radhazi, ky konkurs synohet të kthehet në një traditë që nxit ndërveprimin mes niveleve të qeverisjes dhe mbështet performancën e Bashkive.
AZHR | Bashkia | Çmimi |
1 | Shkodër | Çmimi Rajonal R1 |
1 | Vau Dejës | Çmimi Kombëtar: Shërbime |
1 | Lezhë | Çmimi Kombëtar (1/2): Zhvillim ekonomik |
2 | Mat | Çmimi Rajonal R2 |
3 | Korçë | Çmimi Rajonal R3 |
3 | Korçë | Çmimi Kombëtar (1/2): Inovacion |
4 | Fier | Çmimi Rajonal R4 |
4 | Vlorë | Çmimi Kombëtar (1/2): Inovacion |
4 | Vlorë | Çmimi Kombëtar: Shoqëria Civile |
4 | Sarandë | Çmimi Kombëtar (1/2): Zhvillim ekonomik |