Zyrat e integruara me një ndalesë, histori suksesi!

Përfaqësues të qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar njihen me praktikat pozitive dhe vizionin strategjik të Bashkisë Shkodër për konsolidimin e reformës territoriale.

Me inisiativën e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe praninë e Ambasadorit të Zvicrës në Shqipëri, z. Christoph Graf,  grupi i donatorëve i përbërë nga përfaqësues të SDC, USAID, UNDP, PLGP, Zyrës së Bashkëpunimit të Italisë dhe Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim e Ambasadës së Suedisë, zhvilloi vizitën e parë informative për prezantimin e Modelit dhe Sistemit të Integruar me Një Ndalesë (bashkisë-njësive administrative), në Bashkinë Shkodër. Ky model është një nga historitë kryesore të  suksesit të qeverisjes vendore pas zbatimit të reformës territoriale. 

Shërbimet administrative në Bashkinë e Shkodrës ofrohen përmes sistemit të Zyrave me Një Ndalesë (Z1N), ku qytetarët mund të paraqesin kërkesat e tyre në sportelet e ngritura pranë kësaj Bashkie, për të marrë aktualisht 74 shërbime të ndryshme. Modeli është mundësuar me mbështetjen e programit dldp, i financuar nga qeveria e Zvicrës, dhe ka nisur funksionimin pilot që prej dhjetorit të vitit 2015, në qytetin e Shkodrës dhe në Njësitë Administrative Dajç dhe Velipojë, për t’u zbatuar më pas në të gjitha Njësitë Administrative të Bashkisë Shkodër.  

Pas zbatimit të Reformës Administrative Territoriale, Shqipëria ka 61 Bashki, një pjesë e të cilave, siç është rasti edhe i Bashkisë Shkodër, kanë një shtrirje të madhe territoriale dhe popullsi që banojnë larg qytetit. Për këtë arsye modeli i Zyrave të Integruara me Një Ndalesë është parë si një instrument efikas për të pasur shërbime cilësore sa më afër qytetarit. 

Ky instrument shërben në këtë mënyrë drejtëpërdrejtë në konsolidimin e territoreve të Bashkive të reja si edhe në zhvillimin e tyre. Për këtë arsye përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe të komunitetit ndërkombëtar kishin interes për të parë nga afër se si funksionojnë Zyrat e ofrimit të shërbimeve me një ndalesë, të cilat janë zhvilluar nga tre programe të qeverisjes vendore: përkatësisht Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor (dldp); Programi STAR i UNDP; dhe Programi PLGP i USAID. Modeli i zhvilluar nga programi dldp u shikua më nga afër në Bashkinë Shkodër, ku është funksionalizuar sistemi i integruar i zyrave me një ndalesë. 

Vizita e delegacionit nisi në Njësinë Administrative Dajç, ku u demostrua nga vet punonjësit funksionimi i Z1N, mënyrës së ofrimit të 74 shërbimeve për banorët e Dajçit dhe demostrimi i drejtëpërdrejtë i procesit të ofrimit të një shërbimi. 

Më pas, delegacioni u drejtua për në Bashkinë Shkodër, ku Kryetarja e Bashkisë, Zj. Voltana Ademi prezantoi përfitimet dhe rezultatet e arritura që prej vënies në funksionim të sistemit pilot, duke shprehur njëkohësisht edhe rritjen e kënaqësisë së qytetarëve në marrjen e shërbimeve administrative dhe angazhimin për ta shtrirë sistemin në të gjithë Bashkinë brenda një kohe të shkurtër. Paraprakisht, Administratori i OSSH, Z. Gjergj Kurti dhe Administratorja IT e Bashkisë, Znj. Helga Sallaku demostruan respektivisht mënyrën e funksionimit organizativ të “front/back office” të OSSH-së dhe funksionalitetin dhe karakteristikat që ofron teknikisht sistemi, të cilat janë zhvilluar për t`ju përshtatur nevojave organizative dhe funksoneve të bashkisë për ofrimin e shërbimeve administrative qytetarëve dhe biznesit të Shkodrës.